Lajçak takoi ndaras Bislimin e Petkoviqin, asnjë përparim në bisedimet për zbatimin e marrëvshjes

Bruksel, 19 korrik 2023 – Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq u takuan ndaras të mërkurën në Bruksel me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak për të diskutuar uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.

“Diskutuam një listë të gjatë të çështjeve të dialogut duke filluar me zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe shtensionimin në veri. Diskutimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme” shkroi zoti Lajçak pas takimeve por pa dhënë më shumë hollësi.

https://twitter.com/MiroslavLajcak/status/1681713110220931095?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1681713110220931095%7Ctwgr%5Eff6b41676d6605c9e4accc83b3875d1295bbc306%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.zeriamerikes.com%2Fa%2F7187620.html  

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ishte qëndrim i zotit Lajçak që të mos ketë takim trepalësh, meqë një takimi tillë “jo domosdo do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse mendon që ka ende nevojë për koordinim shtesë para se kjo të ndodhë, madje edhe ka ide që plani i sekuencimit (të zbatimit të marrëveshjes) kërkon takim të nivelit të lartë, sipas tij, dhe qartazi kryenegociatorët nuk mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme”.

Zoti Bislimi u shpreh i brengosur me draftin që Lajçak ua ka dërguar palëve.

“Ne mendojmë që ai plan është selektiv dhe u kushton më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë dhe nuk garanton zbatim të plotë të marrëveshjes. Ne kemi tentuar që në një takim trilateral me palën serbe të vendosim të gjitha obligimet që palët marrin nga marrëveshja bazike në një plan të detajuar të sekuencimit. Nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë mision, por kemi përmirësim apo ecje tutje”, tha ai.

Zoti Bislimi tha se veprimet e Kosovës do të duhej të pasoheshin me heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian që u vendon muajin e kaluar për shkak të situatës në veri.

“Për ne është habi që edhe tetë ditë pas darkodimit në Bratisllavë, ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e zotit (Josep) Borrell që kërkon heqjen e masave nga ana e Komisionit Evropian. Nuk mund të themi që kemi zbatuar të gjitha masat për arsye se një prej masave është mbajtja e zgjedhjeve, por ne kemi treguar rrugën që çon në normalizimin e situatës e mungesa e kësaj rruge ka qenë preteksti i BE-së për vendosjen e masave ndëshkuese, e tash gjetja e rrugës nënkupton edhe instrumentin për heqjen e masave ndëshkuese”, tha zoti Bislimi.

Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e parë të uljes së tensioneve, ndërsa kryeministri Albin Kurti ka thënë se tashmë është zvogëluar prania e policisë së Kosovës me 25 për qind në tre ndërtesat komunale në veri, duke u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

(r.m.)