Lajçak: Vizitat në Prishtinë e Beograd ndihmuan për qartësimin e hapave të ardhshëm

Beograd / Prishtinë, 5 korrik 2023 – I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të mërkurën se vizitat në Prishtinë e në Beograd i kanë ndihmuar për qartësimin e hapave të ardhshëm për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës.

Lajçak i bëri këto komente në rrjetet sociale, pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd. Ai tha se me presidentin serb pati “një bisedë të hapur e të sinqertë’ “mbi rrugën përpara, duke përfshirë nevojën për zgjedhje të reja lokale me pjesëmarrje të serbëve të Kosovës si dhe rikthimin në dialog”.

Ndërkaq Vuçiq tha se me zotin Lajçak kanë diskutuar për situatën në Kosovë, për mënyrat e qetësimit të situatës në terren dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Edhe një herë paralajmërova se populli serb në Kosovë është i ekspozuar ndaj torturave dhe përndjekjeve më të rënda në 15 vitet e fundit dhe përsërita kërkesat për respektimin e të drejtave dhe për sigurinë e tyre”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Bashkimi Evropian po kërkon pezullimin e operacioneve policore në katër komunat veriore, zhvendosjen e kryetarëve të këtyre komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, me pjesëmarrje masive e të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Lajçak shkoi në Beograd nga Prishtina, ku tha se “ka një mirëkuptim për nevojën për të ecur përpara” me këtë plan tre pikësh. Ai tha se vendimi i BE-së për vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës ka qenëi vështirë dhe ka paralajmëruar se BE-ja i ka gati masat ndëshkuese edhe ndaj Serbisë, në qoftë se ajo nuk i përmbush kërkesat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e cilësoi si pozitiv takimin që pati të martën me Lajçakun. Duke folur për planin tre-pikësh të BE-së, ai tha se qeveria është e gatshme për zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore. Ai tha se para mbajtjes së zgjedhjeve, në katër komunat veriore duhet të krijohen kushte dhe të ketë siguri se procesi zgjedhor mos të dështojë përsëri.

“… nëse nuk ke asnjë gram garanci që në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme nuk përsëritet 23 prilli, duhet të mendojmë e rimendojmë për përgatitjen më mirë”, tha ai.

(r.m.)