Lamtumirë mësues i nderuar Ceno Zyli!

Nga Qemal Zylo

 

Me shumë dhimbje dhe trishtim e morëm lajmin e ikjes nga kjo botë të mësuesit të përkushtuar ndër breza Ceno Zylit.  Kur dëgjon për cilindo që ndahet nga kjo botë ndjen keqardhje, por sidomos kur e ke njeriun e gjakut, je rritur me të, ke kaluar fëmijërinë dhimbja shumëfishohet nga kujtimet s’kanë të sosur. 

Jeta dhe profesionet e ndryshme na ndan, por Ceno Zyli mbeti tek rrënjët e forta si një lis në edukimin e brezave në Arrez të Madhe të Tepelenës, por dhe në rreth deri në Tiranën, kryeqytetin tonë historik.

Ne ishim bashkë në shkollat tona aq të forta, edukuese me mësues shumë profesionistë dhe me një ndërgjegje të lartë për të na dhënë dijen dhe kulturën e gjerë.  Këtë fakt e tregojnë se në shumë prej këtyre shkollave u arsimuan dhe dolën shumë intelektualë si inxhinierë, doktorë, mësues dhe në shumë profesione të tjera.  Natyrisht në radhë të parë në këtë shkrim homazh çmojmë dhe vlerësojmë popullin arsimdashës të Arrëzës dhe bashkëpunimin me mësuesit e dashur. 

Ceno Zyli i lindur, më 12.05.1954 në fshatin Arrëz e Madhe Tepelenë ishte fëmija i parë i Xhaferrit dhe Najmesë, për të cilët kam mall për të dëgjuar këshillat e tyre dhe mikpritjen aq të ngrohtë që na servirnin.  Fëmijërinë e tij e kaloi në Arrëz ku kreu shkollën fillore dhe 8-vjecare. Duke qenë fëmija i parë kishte dhe barrën e përkujdesit për më shumë për motrat dhe vëllezërit e tjerë që i donte aq shumë. 

Ja si shkruan vëllai i tij Ylli Zyli një ushtarak i lartë, i devotshëm, për ikjen e parakohshme të vëllait të tij:

“Sot pushoi së rrahuri zemra e vëllait tim, e shokut tim të parë, duke ma kthyer ditën e sotme në pikëllim dhe ndarje të rëndë.  Ajo zemër që ende kishte shumë punë për të kryer e ende për të dashur bashkëshorten, djalin, vajzat, nipin, mbesat, ne, familjarët e tjere të saj dhe miq e shokë.

Na duhet të të lemë të shkosh e të të përcjellim vëllai im, Shpirt i shpirtit tim!

U prehsh në paqe dhe i përjetshëm qoftë kujtimi yt!

Shkollën e mesme Pedagogjike e kreu në Gjirokastër.  Në vitin 1974 filloi punë si mësues në fshatin Progonat ku dhe në të njejtën kohë vazhdonte studimet e larta në Institutin e Fizkulturës “Vojo Kushi” në Tiranë ku dhe u diplomua si mësues i edukimit fizik. Ceno Zyli ka punuar si mësues në disa fshatra të ndryshëm të Tepelenës si Arrëz e madhe, Marricaj, Miricë, Mezhgoran, Golem, Vagalat etj…  Në vitin 1983 u emërua drejtor shkolle në Arrëz të Madhe për një periudhë 5 vjeçare.

Ceno Zyli më 1985 Martohet me mësuese Leni Gjoka, ku sollën në jetë katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë, Ornela, Erisa, Fatjon dhe Algerta. 

Ai punoi  dhe sakrifikoi shumë, si për fëmijët e tij, por edhe për breza të shumtë duke u dhënë jo vetëm edukimin shkollor, por edhe atë të jetës.

Në kohën e demokracisë Ceno u zgjodh sekretar i komunës Lujftinjë në vitet 2003-2007. Në korrik të vitit 2007 Ceno Zyli transferohet në Tiranë familjarisht.

Në Tiranë vinte me një përvojë të madhe si mësimdhënës ndaj e ushtroi këtë preofesion duke punuar si mësues i Edukimit Fizik në disa shkolla të ndryshme si “Flabina”, Shkolla e Mesme Teknike Ekonomike Tiranë, Shkolla “Musine Kokalari”, Shkolla “Hasan Prishtina”, Shkolla “ Edith Durhami”, Shkolla “Misto Mame” etj……

Mesues Ceno Zyli e shkriu jeten e tij në arsim duke përhapur dije dhe kulturë dhe puna e tij të kujton thënien e Rilindasit të shquar Sami Frashërit i cili ka thënë: “Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon që të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë.

Pasi u stabilizua familjarisht dhe profesionalisht, në vitin 2013 pati një fatkeqesi ku humbi shikimin, por asnjëherë nuk u demoralizua, ishte një mësues kurajoz, me vullnet të fortë, pozitiv, bamirës dhe filloi  të përballonte situatat e vështira që i krijoheshin ashtu si ai ishte mësuar ndër vite.

Problemet shëndetësore iu shtuan në vitet e fundit të jetës. Edhe pse iu bënte ballë me durim, këmbëngjulje dhe optimizëm, ai humbi jetën duke lënë pas një trashëgimi të madhe ndër breza ku punoi gjithë jetën e tij për t’i arsimuar të tjerët dhe për t’ju siguruar një jetë më të mirë. 

Të gjithë nxënësit e tij që kemi takuar ndër vite kanë folur fjalë miradie.  Ai la pas katër fëmijë të mrekullueshëm, ku djali i vetëm jeton dhe punon në Florida bashkë me bashkëshorten e tij të cilët janë integruar plot kulturë në botën amerikane, çka na bëjnë krenar si fisi Zylaj dhe Diasporë.

Mesues Ceno Zylo do të kujtohet përgjithmonë nga brezat që mësoi dhe edukoi gjatë gjithë jetës së tij.

Ai u përcoll me respekt dhe nderime nga familja, të afërmit miqtë e shumtë për në banesën e fundit në Tiranë.

Lamtumire njeriu i mirë, Mësues Ceno Zyli!

20 tetor, 2024

Staten Island, New York

Comment

*