Lamtumirë miku yne dhe i gjithë Kombit Ukë Gjonbalaj!

Nga Qemal Zylo

Me shumë hidhërim e morëm lajmin e ikjes nga kjo botë të patriotit dhe intelektualit të shquar Uka Gjonbalaj. 

Në të gjitha aktivitetet kryesore ku kemi marrë pjesë si media “Alba Life” ishte e pamundur të mos shihje pjesëmarrjen fizike dhe aktive të Uka Gjonbalaj. 

Unë do të sjellë vetëm një detaj nga takimi personal që kam pasur në vitet e hershme të emigrimit tonë kur erdhëm në USA në vitin e mbrapshtë të 97-ës nga lufta civile në Shqipërinë tonë.  Ne kishim ëndrra të integroheshim në Amerikë me kulturë dhe dinjitet. 

Miku ynë shkrimtari dhe historiani Rexhep Dedushaj nga Vuthaj na çoi në një seminar që organizohej nga kompania e famshme Met Life ku Uka ishte zyrtar i lartë dhe tha se do ju prezantoj me këtë shqiptar të madh. Ai kishte marrëedukimin e lartë në universitetin në Zagreb për Ekonomi. 

Drejtimi i seminarit, leksioni i Uka Gjonbalaj dhe fjala elekuente i tërhoqi pamasë amerikanët e shumtë dhe natyrisht dhe ne si shqiptarë.  Biri i Vuthajve na uroi mirëseardhjen në Amerikë plot kulturë dhe mirësi dhe na frymëzoi se ju do të integroheni siç e meritoni, pasi Amerika është vend i ëndrrave, por nga ana tjetër unë ndjej shumë dhimbje që shumë intelektualë që i duhen Atdheut po ikin prej andej.  Unë e dëgjoja me vemendje dhe prekesha shumë për historinë e tij dhe të shumë shqiptarëve të tjerë që ishin larguar nga dhuna serbo-malazeze apo qarqet e tjera antishqiptare.

Uka Gjonbalaj luftoi pa u kursyer për çështjen kombëtare si dhe me kontribute financiare.  Atë e shikoje kudo ku Atdheu thirrte bijtë e tij në demonstrata për Kosovën, Çamërine, trevat shqiptare, paradat organizuar nga Rrënjët Shqiptare, apo në mbështetje të kandidatëve shqiparë si psh Marko Kepi që donin të hynin në politikën amerikane.

Nuk do ta harrojmë kurrë ku së bashku me Kozetën ishim të ftuar si media në restorantin “Cello” në Staten Island ku Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane me Presidenet ish Kongresistin me origjinë arbëreshe Joe DiGuardi në bashkëpunim me organizatën “Rrënjët Shqiptare” organizuan darkë Kongresi për Çamërinë: “Çamëria Congressional Dinner”.

Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, z.Gregory Meeks premtoi në praninë e shqiptaro amerikanëve se do të thërras në Kongresin Amerikan z.Sali Bollati të mbijetuarin e genocidit grek të dëshmojë për masakrat greke.

Shume e veçantë ishte fjala e atdhetarit Uka Gjonbalaj. Edhe pse ishte me tub të oksigjenit në hundë ai nuk ndaloi për Kombin, por idetë dhe fjala e tij u mirëpritën me ovacione.

Ndonëse ishte me pikëpamje republikane, ai foli aty si shqiptar që i dhëmb Kombi, i dhëmbin çështjet e padrejta, i dhëmbin trojet e shkëputura me të padrejtë nga trugu amë. 

Z. Gjonbalaj vazhdimisht ka qenë ndër vite në krah të Çamërisë së bashku me luftëtarin dhe birin e Camërisë z. Sali Bollati.  I ndjeri Gjonbalaj e ka mbështetur pa rezerva çështjen e saj.

Në emër të TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” si një dashamirës i madh i shprehim ngushëllimet e thella familjes së tij të mrekullueshme, bashkëshortes fisnike, dy djemve, vëllazërisë dhe Fisit të mirënjohur Gjonbalaj.

Diaspora, Kombi, Plavë Gucia, Staten Island, New Yorku dhe Vuthaj humbën Birin e saj, por vepra e tij do të kujtohet dhe do të jetë frymëzim ndër breza.

Dritë ju pastë shpirti!

Lamtumirë miku ynë dhe i gjithë Kombit, Uka Gjonbalaj!

26 Nëntor, 2023

Staten Island, New York