Lansohet platforma “Kosova e Para”, e promovon idenë për Marrëveshje të Asociimit të Lirë mes Kosovës dhe SHBA-së

Uashington, 9 shtator 2025 – Dr Faton Bislimi, aktivist politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka lansuar platformën politike “Kosova e Para”, e cila është themeluar nga një grup intelektualësh dhe aktivistësh në Kosovë dhe në diasporë, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo platformë promovon idenë për zyrtarizimin e lidhjeve të veçanta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, përmes Marrëveshjes së Asociimit të Lirë (Compact of Free Association).

“Të promovojmë interesin kombëtar mbi interesin partiak, të rrisim unitetin qytetar përballë ndasive politike dhe të avancojmë politikisht, ekonomikisht dhe diplomatikisht pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, përmes lidhjes së formalizuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Marrëveshjes së Asociimit të Lirë (Compact of Free Association)”, thuhet në thirrjen për bashkim me këtë platformë.

“Ne besojmë se partneriteti i përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rruga që i hap Kosovës një horizont të ri – një status të veçantë, të ngjashëm me atë të një ‘shteti të 51-të’”, thuhet në ballinën e platformës https://kosovaepara.org/bashkohu-me-ne/

“Compact of Free Association (CFA) është një marrëveshje formale shtetërore që SHBA ka me disa shtete të pavarura (si Palau, Micronesia, Marshall Islands, etj.), duke ofruar mbrojtje ushtarake, ndihmë ekonomike, dhe qasje në programe federale, në këmbim të bashkëpunimit të ngushtë politik e strategjik”, shpjegon platforma.

Drejtuesi i platformës, Dr Bislimi, në një adresim publik nga Uashingtoni, ka thënë se Platforma “Kosova e Para” angazhohet për ta bërë Kosovën shtet të asocuar zyrtarisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kosova ekziston si e lirë dhe e pavarur, falë sakrificës së popullit të saj dhe ndihmës së pakushtëzuar të Amerikës. Dhe nëse duam një të ardhme të qëndrueshme, të sigurt dhe dinjitoze për qytetarët tanë, atëherë, na duhet një rifreskim serioz i kësaj aleance — jo në letra, por në vizion, veprim dhe vullnet”, ka theksuar Bislimi.

Adresimi i Bislimit, i plotë:

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Sot kam nderin që të publikoj para jush platformën Kosova e Para, misioni i së cilës është “të promovojmë interesin kombëtar mbi interesin partiak, të rrisim unitetin qytetar përballë ndasive politike, dhe të avancojmë politikisht, ekonomikisht dhe diplomatikisht pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare përmes lidhjes së formalizuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Marrëveshjes së Asociimit të Lirë (Compact of Free Association),” duke e sjellë kështu Kosovën zyrtarisht nën ombrellën e SHBA-ve në shumë sfera. Me fjalë tjera, Kosova e Para angazhohet për ta bërë Kosovën shtet të asociuar zyrtarisht me SHBA-të.

Ka më shumë se dy dekada që e jam angazhur për çështjen e Kosovës në zemër të vendimmarrjes amerikane — në Kongresin e SHBA-ve, në qarqet akademike më prestigjioze, dhe në tryeza ku është shkruar fati ynë politik. Ajo që ka qenë gjithmonë e qartë për mua — dhe për çdo mik të Kosovës atje — është se marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara nuk është thjesht një partneritet politik, por një lidhje ekzistenciale për vetë shtetin tonë.

Kosova ekziston si e lirë dhe e pavarur, falë sakrificës së popullit të saj dhe ndihmës së pakushtëzuar të Amerikës. Dhe nëse duam një të ardhme të qëndrueshme, të sigurt dhe dinjitoze për qytetarët tanë, atëherë, na duhet një rifreskim serioz i kësaj aleance — jo në letra, por në vizion, veprim dhe vullnet.

Ka ardhur koha për një kthjellje kombëtare!

Po jetojmë një moment kritik për Kosovën. Jo për shkak se sfidat janë më të mëdha se më parë — por sepse lidershipi ynë duket më i përqendruar në përplasjet e brendshme sesa në interesat madhore të shtetit. Të gjithë ne e shohim këtë. Dhe të gjithë ne e ndjejmë mungesën e një drejtimi të qartë, të urtë dhe përbashkues.

Ky vend nuk e ka luksin të shpenzojë kohë në grindje të brendshme, teksa përballet me sfida ndërkombëtare dhe me nevojën urgjente për të rikthyer besimin e partnerëve strategjikë.

SHBA-të janë shtylla e aleancës sonë me botën demokratike.

Askush nuk mund të ketë iluzione për peshën që ka Amerika në rrugën tonë ndërkombëtare. Asnjë vend tjetër nuk ka investuar më shumë në lirinë, ndërtimin dhe afirmimin e Kosovës si shtet. Por aleancat nuk funksionojnë njëanshëm. Ato kërkojnë mirëkuptim, komunikim të sinqertë dhe vizion të përbashkët.

Kjo është arsyeja pse ne duhet të rikthejmë besimin, respektin dhe koordinimin me SHBA-të në nivelin më të lartë të mundshëm. Kjo nuk është vetëm domosdoshmëri diplomatike — është përgjegjësi historike.

Një shtet nuk mund të funksionojë pa unitet institucional. Një shoqëri nuk mund të ecë përpara pa një vizion të përbashkët. Dhe një aleancë si ajo me SHBA-të nuk mund të përforcohet pa seriozitet politik dhe pjekuri shtetërore.

Sot, kur Kosova ka nevojë për një vizion kombëtar që e vendos interesin e shtetit mbi çdo interes tjetër.

Duke pasë përgjegjësi ndaj atdheut, angazhohem më shumë se kurrë — për një Kosovë që bashkon, e jo që ndan; që ndërton, e jo që rrënon; që i sheh miqtë si burim force, e jo si pengesë.

Le të fillojmë nga e para – me maturi, përgjegjësi dhe vizion.

Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm. Ka rini të shkëlqyer, diasporë të fuqishme, miq të jashtëzakonshëm ndërkombëtarë. Ajo që mungon sot është kohezioni i brendshëm dhe drejtimi.

E ardhmja kërkon më shumë se sa retorikë. Kërkon veprim.

Le ta bëjmë bashkë këtë kapitull të ri për Kosovën para së gjithash, dhe mbi të gjitha: Kosova e Para!

Unë besoj në Kosovën tonë. Besoj në njerëzit tanë. Dhe mbi të gjitha, besoj se bashkë me miqtë tanë, ne mund të ndërtojmë një shtet që i përmbush ëndrrat e brezave që sakrifikuan për të.

Ky është momenti ynë për t’u bashkuar rreth vlerave që na bëjnë të fortë dhe për ta ngritur Kosovën në vendin që i takon.

Andaj, ju ftoj që të na bashkoheni në përkrahje të platformës Kosova e Para!

Ju falemnderit!

(r.m.)