Largpamësia e albanologut Peter R. Prifti për Kishën Ortodokse në Shqipëri

Rafaela Prifti

Në përkujtim të përvjetorit të vdekjes së Peter R. Priftit (17 gusht 2010) vlen të sjellim në mend përkushtimin e tij ndaj studimeve albanologjike si model i një intelektuali të përsosur si edhe një atdhetari të rrallë. Studimet e tij, të cilat përfshijnë një gamë të gjerë të shkencave politike e sociale, janë botuar në gjashtë vëllime pa llogaritur punimet shkencore si bashkëautor veç shumë shkrimeve të tij në revista profesionale e gazeta të njohura në Amerikë. Përsa i takon kohës në Vatër, ai, në vitin 1958, u emërua bashkëeditor i gazetës Dielli dhe më pas kreu vetëm për një vit (1959-1960) detyrën e Sekretarit të Federatës PanShqiptare të Amerikës Vatra në Boston nën Kryesinë e të përndriturit Fan Noli. 

Peter Prifti është anëtar nderi i Departamentit të Gjuhësisë të Universitetit të Kalifornisë në San Diego. Ai është autor i disa vëllimeve në shqip dhe anglisht si: Confrontation in Kosovo: The Albanian-Serb Struggle, 1969-1988, Remote Albania – The politics of isolation, Land of Albanians – A Crossroads of Pride and Pain, Unfinished Portrait of a Country, Mozaik Shqiptar e të tjera.

Në ditën e përvjetorit të vdekjes, është me rëndësi të lexohet letra e tij drejtuar Presidentit të atëhershëm të Shqipërisë z. Sali Berisha. Në të autori ngre zërin dhe argumenton qëndrimin e tij kundra emërimit të dhespotit grek Janullatos si kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqipërisë dhe “shenjtërimin” e tij aty. E shkruar në Korrik të vitit 1992, letra ilustron mprehtësinë analitike, largpamësinë mendore përballë llogaritjeve politike dhe shpalos atdhedashurinë e një mërgimtari që ndonëse jetonte në Amerikë ishte thellësisht dhe deri në fund i përkushtuar ndaj vendit të tij të lindjes. 

Figura e Peter Priftit mbetet nga më të shquarat e diasporës shqiptare në Amerikë.

Shënim: Letra i takon arkivit të familjes Prifti. Ribotimi i plotë apo i pjesshëm pa miratimin e familjarëve është i ndaluar dhe i ndëshkueshëm me ligj.    

Mbi Krizën Kishëtare në Shqipëri

Dr. Sali Berisha, President i Republikës së Shqipërisë

Tiranë, më 29 korrik 1992

I nderuar President:

Po ju shkruaj në lidhje me krizën që është shfaqur në gjirin e Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë. Është fjala për emërimin e një dhespoti grek të quajtur Anastasios Janullatos, si kryepeshkop të Kishës Ortodokse të Shqipërisë dhe “shenjtërimin” e tij aty, në Shqipëri, që është caktuar për të diel, më 2 gusht, 1992.

Ju bëj të ditur se ky lajm ka rënë si rrufe në veshët e besnikëve të Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikës. Jo vetëm Shqiptarët Ortodoksë, por edhe Shqiptarët Katolikë dhe myslimanë në Amerikë janë shqetësuar pa masë nga ky zhvillim i papritur dhe i pabesueshëm.

Ne e dimë gjendjen e rëndë ekonomike të besnikëve Ortodoksë aty dhe nevojën e madhe që kanë për ndihmë e për të  rindërtuar Kishën. Ne dimë gjithashtu se si të Krishterë Ortodoksë që jemi duhet të kemi marrëdhënie të mira me Kishat motra të vendeve të tjerë dhe t’i japim dorë njëri tjetrit.

Por njëkohësisht ne nuk mund të harrojmë historinë e hidhur të marrëdhënieve midis Shqiptarëve Ortodoksë dhe Patrikanës së Kostandinopullit, që emëroi dhespotin grek në fjalë si Kryepeshkop të Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Nuk harrojmë se jemi djegur keq nga Patrikana. I kemi përpara syve edhe sot e kësaj dite dëshmorët Ortodoksë: At Stathi Melani, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, etj. që ranë nga dora gjakatare e Grekërve dhe e Patrikanës, sepse punuan për interesat kombëtare. Prandaj edhe Noli i madh i ndau lakrat me Patrikanën më 1908. Prandaj edhe Kisha Ortodokse e Shqipërisë u shkëput nga Patrikana dhe më 1937 u bë Kishë Autoqefale.

Nuk ka kuptim që Shqiptarët Ortodoksë të hedhin prapa krahëve atë autonomi kishëtare të fituar me aq gjak e djersë.  Pavarësisht nga shprehjet vëllazërore dhe dëshirën që shfaq Patrikana për të ndihmuar Ortodoksët Shqiptare, të kesh në krye të Kishës një njeri të Patrikanës, do të thotë të humbësh pavarësinë kishëtare për një copë bukë, siç thotë fjala popullore. Jo vetëm kaq, por do të thotë të futësh në Shqipëri me vetëdije Kalin e Trojës dhe të rrezikosh integritetin tokësor të Shqipërisë  sepse dihet se Kisha Greke ka përkrahur gjithmonë politikën greke që synon grabitjen e Shqipërisë së Jugut.

Anëtarët e Kishës Ortodokse të Shqiptarëve të Amerikës, bij dhe bija besnike të Fan Nolit të pavdekshëm, protestojnë me forcë emërimin e një dhespoti Grek në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë ashtu siç do të protestonim emërimin e një të huaji si president të shtetit shqiptar. Kjo nuk është një çështje thjesht fetare, por edhe kombëtare. Ne në Amerikë këshillojmë urgjentisht që të merren masa menjëherë për të ndaluar “shenjtërimin’ e dhespotit në fjalë për shkak se është në konflikt të hapur me interesat jetike të kishës dhe të Kombit! U bëjmë thirrje vëllezërve dhe motrave tona Ortodokse në Korçë, në Gjirokastër, në Vlorë, në Berat, në Durrës e Tiranë të ngrihen dhe të bëjnë mbledhje dhe demonstrata kundër dhespotit Grek, i cili sot baret me kryq në dorë, por nesër mund të dalë me pallë vdekjeprurëse, nëqoftëse kemi mësuar gjëkafshë nga historia. Sa kohë që Kisha Greke nuk deklaron zyrtarisht dhe botërisht që heq dorë njëherë e mirë nga pretendimet mbi Shqipërinë e Jugut, ne kemi plot të drejtë të alarmohemi dhe të dyshojmë për qëllimet e Patrikanës.

Vërtet, Kisha Ortodokse në Shqipëri ka hasur në vështirësi të mëdha dhe vuan shumë. Por këto vuajtje janë të përkohshme, kalimtare. Kisha vuajti edhe më shumë në Kohën e Turqve, si edhe nën regjimin brutal të Hoxhës. Por nuk u mposht, nuk u dorëzua. Në jetën e re demokratike të vendit me durim dhe me përkrahjen e shqiptarëve të Amerikës dhe gjetkë, ajo do ta kalojë edhe këtë krizë, dhe do të ecë përpara krenare, e lirë dhe e pavarur, në rrugën e ndershme kombëtare, për të cilën punuan dhe luftuan me vetëmohim të parët tanë, brez pas brezi.

Me respekt e nderim,

Peter R. Prifti