Lavrov i akuzoi NATO-n dhe BE-në për pavarësinë e Kosovës

Shkup, 30 nëntor 2023 – Ministri i Punëve të Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, në fjalimin e tij në samitin e ministrave të jashtëm të OSBE-së, në Shkup, i ka akuzuar shtetet perëndimore dhe Aleancën Veri-atlantike për, siç është shprehur, “shkatërrimin” e OSBE-së. Ai ka thënë se kjo organizatë “ndodhet në gjendje të keqe dhe në perspektiva të paqarta”.

Lavrov e ka akuzuar NATO-n dhe BE-në për sulmet ajrore ndaj objektivave ushtarake e policore të Serbisë në vitin 1999 dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

 “Vendet e NATO-s dhe BE-së e shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së. Në vitin 1999, NATO kreu një agresion brutal të pamaskuar kundër Jugosllavisë – një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së. Dhe, në vitin 2008, duke shkelur Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga akti final i Helsinkit, Serbisë iu hoq Kosova pa asnjë referendum”, ka deklaruar Lavrov.

“Ka qenë në traditën tonë që të kemi fjalime pozitive, por kjo nuk po ndodh sepse OSBE-ja është bërë vegël e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Lavrov e ka akuzuar OSBE-në se nuk e ka ngritur zërin kundër “mohimit të të drejtës së përdorimit të gjuhës ruse” në Ukrainë.

“OSBE-ja ka heshtur kur qytetarëve u është mohuar e drejta e përdorimit të rusishtes, edhepse aktet ndërkombëtare ua garantonjnë përdorimin e gjuhëve të gjitha minoriteteve”, ka thënë ai.

Madje, ka thënë se komunitetit rus në Ukrainë i është mohuar edhe ekzistenca.

Ai i ka cilësuar “përpjekje të turpshme” angazhimet për pranin e Ukrainës në BE, ndërsa udhëheqjen shtetërore të Ukrainës e ka quajtur “regjim neo-nazist”.

Lavrov ka folur edhe për sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë.

“Në një përpjekje për të shkatërruar ekonominë ruse, SHBA-ja dhe satelitët e saj evropianë kanë vendosur mijëra sanksione ndaj Rusisë, duke i dhënë fund bashkëpunimit të gjerë praktik midis Lindjes dhe Perëndimit në rajonin tonë dikur të përbashkët”, është shprehur ai.

Shefi i diplomacisë ruse ka thënë se Moldavia “është viktima e radhës e luftës hibride të Perëndimit kundër Rusisë”.

Disa nga ministrat e vendeve pjesëmarrës në samit e kanë bojkotuar fjalimin e  Lavrovit. Ata janë larguar nga salla sapo kryesuesi i OSBE-së, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ia ka dhënë fjalën shefit të diplomacisë ruse.

(r.m.)