Lavrov: Trupat evropiane në Ukrainë krejt të papranueshme

Moskë, 22 gusht 2025 – Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e quajti vendosjen e trupave evropiane në Ukrainë si “krejtësisht të papranueshme”.

Lidhur me garancitë e mundshme të sigurisë që duan të oftojnë shtetet evropiane për Ukrainën, Lavrov u shpreh për “ndërhyrje të huaj në pjesë të Ukrainës”.

Agjencia e lajmeve AFP njofton se gjatë një vizite të homologut të tij indian në Moskë Lavrovi kishte thënë se kjo do të ishte “krejtësisht e papranueshme” për Rusinë.

Lavrov këmbënguli që ditën e mërkurë (20.08,) për pjesëmarrjen e Rusisë në bisedimet mbi garancitë e sigurisë. Ai tha se Kremlini mbështet “garanci të besueshme sigurie” për Ukrainën. Por, ai theksoi se bisedimet mbi çështjet e sigurisë pa Rusinë “nuk çojnë askund”.

Rusia synon të zgjerojë mburojën e saj të mbrojtjes bërthamore

Rusia dëshiron të zgjerojë sistemin e saj mburojë kundër armëve bërthamore. Arsyeja për këtë janë “kërcënimet kolosale” ndaj fuqisë më të madhe bërthamore në botë, tha Aleksei Likhahev, drejtuesi i agjencisë shtetërore bërthamore të Rusisë Rosatom.

“Mburoja bërthamore, e cila është gjithashtu një shpatë, është garanci e sovranitetit tonë”, tha Likhahev.

“Ne e kuptojmë sot se në vitet e ardhshme mburoja bërthamore duhet vetëm të përmirësohet”, shtoi ai.

Zelenski aludon për më shumë kundërsulme

Sipas Presidentit Volodymyr Zelenski Ukraina duhet të heqë dorë nga mbrojtja e vazhdueshme kundër sulmeve ruse dhe të kalojë vetë në ofensivë.

“Kjo luftë duhet të përfundojë. Ne duhet të ushtrojmë presion ndaj Rusisë”, tha ai në video-mesazhin e mbrëmjes (21.08.).

Shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, nuk kupton “asgjë tjetër përveç pushtetit dhe presionit”. Ushtria ukrainase do të vazhdojë ta mbrojë vendin dhe popullin e saj.

(DW)