LDK: Deklarata e ‘Kuvendit Gjithëserb” – kurdisje e një bombe që mund të shpërthejë çdo çast

Prishtinë, 9 qershor 2024 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cilësoi si “projekt politik e kulturor për Serbinë e Madhe” deklaratën e miratuar të shtunën nga Kuvendi Gjithëserb, në Beograd. Ajo theksoi se në deklaratë shprehen qartë qëllimet historike të Serbisë “për zhbërjen e Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës”.

LDK-ja u bëri thirrje miqve të Kosovës që të marrin seriozisht këetë project të Beogradit, të cilin e cilësoi si “kurdisje të një bombe që mund të shpërthejë në çdo çast”

“Ftojmë miqtë e Kosovës që kanë dhënë shumë për lirinë e saj, t`i marrin seriozisht këto përpjekje të Beogradit zyrtar për minimin e fqinjësisë në mes shteteve në rajon dhe defunksionalizimin e arritjeve politike në të mirë të demokracisë në këto 30 viteve të fundit. Alarmi i djeshëm në Beograd, për ne që i njohim shpërthimet e tyre fashiste në vazhdimësi, është kurdisje e një bombe që mund të shpërthej në çdo çast!”, thekson LDK-ja në deklaratën e saj.

Deklarata e plotë:

Serbia dje, nëpërmjet instiucioneve të saja zyrtare të përfaqësimit, bashkë me Kishën Serbe, përfaqësuesit zyrtarë të Republikës serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Akademinë serbe të Arteve dhe Shkencave, nacionalistë serbë nga rajoni dhe bota, në të ashtuquajturin Këshill Gjithëserb, e mbarsun me ide imperialiste si ajo e `botës serbe`, shpalli për të satën herë projektin e saj politik e kulturor për Serbinë e Madhe dhe qëllimet e saja historike për zhbërjen e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

Lidhja Demokratike e Kosovës, si ideatore e projektit politik për Kosovën e Pavarur, si vend i të gjithëve që jetojnë në të, demokratik dhe i lirë; si bartëse e qëllimeve historike politike e kombëtare të popullit të Kosovës, e sheh me shqetësim këtë tubim gjithëserb dhe konkluzionet e tij armiqësore ndaj Kosovës dhe rajonit.

Kosova është përcaktuar tashmë, në mënyrë të pa kthyeshme, për rrugën evropiane, ku të drejtat qytetare, ato kulturore si dhe ato etnike përbëjnë bërthamën e zhvillimit dhe bashkëjetesës. Kosova e ndjenë të vetën krejt diversitetin kulturor të saj dhe trashëgiminë që vjen prej atij diversiteti dhe do ta mbrojë dhe deshmojë atë si vlerë të shtuar.

Po ashtu, LDK dëshmon edhe një herë se si në fillesë edhe tash i rrin përballë çdo përpjekje për cenimin e Republikës së Kosovës dhe integritetit të saj. Republika e Kosovës është produkt i pjekjes së një shoqërie për ta udhëhequr vetëveten, por edhe për të marr përgjegjësi për pakicat. LDK i mbetet garantuese këtyre vlerave dhe prosperimit të tyre.

Ftojmë miqtë e Kosovës, që kanë dhënë shumë për lirinë e saj, t`i marrin seriozisht këto përpjekje të Beogradit zyrtar për minimin e fqinjësisë në mes shteteve në rajon dhe defunksionalizimin e arritjeve politike në të mirë të demokracisë në këto 30 viteve të fundit. Alarmi i djeshëm në Beograd, për ne që i njohim shpërthimet e tyre fashiste në vazhdimësi, është kurdosje e një bombe që mund të shpërthej në çdo çast!

(r.m.)