Prishtinë, 31 gusht 2026 – Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pas votimit për mocionin për shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit, e miratoi një vendim që synon “disiplinimin” e zyrtarëve të partisë.
Sipas vendimit, i cili u miratua me shumicë votash, “të zgjedhurit dhe përfaqësuesit” e LDK-së i obligon të respektojnë dhe zbatojnë vendimet e shumicës. Termi “të zgjedhurit” u referohet personave të zgjedhur në një funksion ose mandat politik në emër të LDK-së, si: deputetët e Kuvendit të Kosovës, kryetarët e komunave ose anëtarët e kuvendeve komunale.
“Të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së obligohen t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë vendimet e miratuara nga organet kompetente të Partisë, në përputhje me Statutin, përfshirë edhe këtë të sotmin. Debati, mendimi ndryshe dhe kundërshtimi politik ushtrohen lirshëm brenda organeve dhe procedurave statutare të LDK-së”, thuhet në vendimin që u publikua në Facebook të premten.
“Pas përfundimit të procesit vendimmarrës, kontestimi publik, pengimi i zbatimit apo veprimi në kundërshtim me vendimet legjitime të shumicës përbën cenim të unitetit institucional dhe të rregullit partiak. Asnjë zyrtar apo strukturë e LDK-së nuk mund të veprojë publikisht në emër të Partisë në kundërshtim me qëndrimet dhe vendimet e organeve të saj kompetente. Organet përkatëse të LDK-së obligohen të sigurojnë zbatimin e këtij vendimi dhe, kur është e nevojshme, të ndërmarrin masat statutare ndaj shkelësve”, thuhet në vendim.
Aty thuhet se “pozita partiake, mandati publik apo funksioni institucional nuk mund të shërbejnë si bazë për përjashtim nga përgjegjësia statutare, etike ose ligjore”.
Sipas vendimit, Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së e përcakton si orientim strategjik të partisë angazhimin për formimin e institucioneve stabile të vendit.
“Kuvendi përcakton si orientim parësor politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës angazhimin për stabilitet institucional, funksionalizimin e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale”, thuhet në vendim.
Aty thuhet se kryetari i LDK-së (në të gjitha kompetencat e tij statutare), Kryesia aktuale, Këshilli i Përgjithshëm e Grupi Parlamentar angazhohen që, brenda kompetencave të tyre statutare dhe kushtetuese, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për realizimin e këtij orientimi.
“Veprimi politik i LDK-së duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia e saj shtetformuese, nevoja për ruajtjen e balancës demokratike dhe domosdoshmëria e krijimit të stabilitetit politik e institucional për avancimin e objektivave euroatlantike të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, “çdo angazhim i LDK-së në proceset institucionale duhet të jetë në përputhje me interesin shtetëror, orientimin euroatlantik, programin politik dhe vendimet e organeve kompetente të partisë”.
Ky vendim u miratua në përfundim të Kuvendit të Jashtëzakonshëm, ku u votua mocioni për shkarkimin e Abdixhikut nga pozita e kryetarit të partisë. Abdixhiku i mbijetoi mocionit me vetëm 12 vota në favor të tij. 170 delegatë votuan kundër shkarkimit, ndërsa 152 delegatë votuan për shkarkimin.
Mocioni për shkarkimin e tij u ndërmor mes pakënaqësive me rezultatin e dobët të partisë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, në të cilat LDK-ja doli prapë parti e tretë me 16.7 për qind të votave.



(r.m.)