LDK prezanton dy opsione për zgjedhjen e presidentit: konensus të gjerë ose marrëveshje LVV-LDK

Prishtinë, 3 mars 2026 – Në prag të skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se është e gatshme të kontribuojë për një zgjidhje politike për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, tha se grupi parlamentar i kësaj partie vlerëson se zgjedhjet tani janë të panevojshme dhe të shmangshme.

“Patëm një takim të grupit parlamentar të LDK-së ku morën pjesë 15 deputetë. Qëndrimi i përbashkët është që zgjedhjet janë të evitueshme, të shmangshme dhe të panevojshme në këtë fazë”, deklaroi Mustafa.

Ai theksoi se LDK-ja është e gatshme të kontribuojë për zgjedhjen e presidentit dhe i paraqiti dy opsione.

“Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për zgjedhjen e presidentit në dy drejtime: e para, me një konsensus të gjerë politik me një kandidat që vjen si pajtueshmëri nga të gjitha partitë politike dhe, e dyta, me një marrëveshje politike klasike, në këtë rast, mes LVV-së dhe LDK-së”, u shpreh Mustafa.

Por, ai e pranoi se zgjidhje për presidentin nuk mund të ketë pa Lëvizjen Vetëvendosje.

“Lëvizja Vetëvendosje i ka 66 deputetë dhe në asnjë format kjo gjë nuk bëhet pa ta”, tha ai, duke shtuar se deri në këtë moment nuk ka asnjë marrëveshje politike.

Mustafa shmangu pyetjet e gazetarëve për kandidatët e mundshëm. Gazetarët nuk morën përgjigje as në pyetjen se cili është qëndfrimi i LDK-së lidhur me kandidaturën eventuale të Vjosa Osmanit.

“Nuk mund të komentoj kandidatura individuale, sepse deri tash nuk kemi asnjë kandidaturë zyrtare që i ka nënshkrimet e 30 deputetëve”, u shpreh ai.

Zëdhënësi i LDK-së nuk e parjashtoi mundësinë që kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, të ketë takime të tjera me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, për përpjekje për të arritur pajtim për mbështetjen e një kandidati apo një kandidatje të caktuar.

Ai theksoi se ende ka afat për një marrëveshje dhe se LDK-ja është e hapur për bisedime.

“Kemi afat deri më 5 mars në orën 24:00 që ta zgjedhim presidentin. Ne jemi të hapur për bisëedime”, përfundoi ai.

(r.m.)

Comment

*