LDK sugjeron zgjedhje të reja në veri dhe hartimin e draftit të statutit të Asociacionit

Prishtinë, 11 korrik 2023 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vazhdon shpalosjen e pikëpamjeve të saj për shtensionimin e situatës në katër komunat veriore të Kosovës dhe për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

Të martën, më 11 korrik, këto pikëpamje u diskutuan me përfaqësues të shoqërisë civile.

Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se LDK ka prezantuar në këtë takim 7 pika “për rrugën përpara”. Ndër të tjera, ai ka thënë se LDK kërkon që në katër komunat veriore të mbahen sa më parë zgjedhje lokale që do të prodhojnë udhëheqës e përfaqësues me legjitimitet të plotë.

“Për LDK-në gjendja e tanishme kërkon shtensionim, zgjedhje të reja sa më parë që të jetë e mundshme me qëllim të kthimit të legjitimitetit tek institucionet lokale në katër komunat veriore, i dëmtuar për shkak të pjesëmarrjes së ulët. Duhet të organizohen nëpërmjet një marrëveshjeje politike të pjesëmarrësve në zgjedhje, VV-së, PDK-së dhe katër kryetarëve aktualë për dorëheqjet e tyre dhe shkaktim të zgjedhjeve për 45 ditë”, ka thënë Abdixhiku, pas takimit.

Ai ka thënë se zgjedhjet e parakoshme në këto komuna duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Abdixhiku ka thënë se Kosova duhet të krijojë sa më parë një ekip profesionistësh të të gjitha fushave që do të merret me hartimin e draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai ka thënë se ky duhet të jetë “një draft statut i hartuar prej njerëzve më të mirë qe ka vendi, me autorësi të institucioneve të Kosovës e në plotëni me Kushtetutën e Kosovës, me karakterin unitar të Kosovës dhe me rendin sovran të institucioneve të Kosovës”.

Ai ka theksuar se kjo ka qenë kërkesë e faktorit ndërkombëtar qysh qe një vit.

“Kosova duhet ta marrë autorësinë mbi draftin dhe kjo ka qenë kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare. Tash një vit, të gjitha institucionet ndërkombëtare, në veçanti SHBA-ja, kanë kërkuar që Kosova e institucionet e saj ta marrin autorësinë, në mënyrë që kjo autorësi të mos u lihet palëve të tjera. Pra, nuk është e vërtetë se nga ne nuk pritet një gjë e tillë. Përkundrazi, kërkohet nga ne dhe jo vetëm kaq, Kosovës i garantohet që kjo pritje nuk ka të bëjë me rrenim kushtetues ose me dalje prej Kornizës Kushtetuese. Ne duhet të ndihemi me veten më të sigurt, por edhe duhet të shtrojmë një version të qartë se Kosova është një vend i paqes, stabilitetit, jo vetëm në vend, por sidomos në veri të vendit dhe në rajon”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se Kosova duhet të krijojë edhe ekipe profesionistësh e diplomatësh me përvojë që do të lobonin për heqjen e sanksioneve dhe për përmirësimin e marrëdhënieve me shtetet dhe organizatat që kanë qenë mbështetëse të Kosovës në rrugën e çlirimit e pavarësisë si edhe të shtetndërtimit.

“Pozicioni i Kosovës ndërkombëtarisht është i dëmtuar, jo vetëm për shkak të politikave të gabuara, të paprecedente të kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës me aleatët tanë por edhe paaftësisë të jashtëzakonshme të ministrisë së punëve të jashtme. Ne mendojmë se Kosova duhet të ndërtojë ekipe profesionistësh, diplomatësh me përvojë që të dërgojë në çdo kryeqendër evropiane dhe botërore në ato kryesoret për të kërkuar jo vetëm heqjen e dënimeve, masave sanksionuese ndaj Republikës së Kosovës por edhe për ta parashtruar hapat e ardhshëm të vendit”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk sheh përspektivë bashkëpunimi me Qeverinë Kurti.

“Nuk shoh rrugë përpara me këtë qeveri, prandaj rruga jonë s’ka të bëjë me bashkëpunim me këto institucione që i kanë sjellë vendit tensione e përplasje dhe s’janë të afta të dalin nga kjo. Po flas për rrugë të tretë, në të cilën rrugë të tretë kryeministri i Kosovës s’ka vend”, ka thënë ai.

Kryetari i LDK-së ka thënë se organizatat e shoqërisë civile i kanë mbështetur propozimet e kësah partie për shtensionimin e situatës në veri dhe për zgjidhjen afatgjate të kontesteve me Serbinë.

(r.m.)