Legjislatura e New Jersey-t nderon Imam Gazmend Aga gjatë Muajit të Trashëgimisë Myslimane

Senati dhe Asambleja e Përgjithshme e Shtetit të New Jersey-t miratuan një Rezolutë të Përbashkët Legjislative për të nderuar Imam Gazmend Aga për shërbimin e tij të shquar si udhëheqës fetar, ndërtues komuniteti dhe promovues i dialogut ndërfetar.

Ky vlerësim, i dhënë gjatë Muajit të Trashëgimisë Myslimane, njeh kontributin e tij në udhëheqjen e “North East Islamic Community Center” në Wayne, kontributin e tij në Waterbury e në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Riverdale, si dhe angazhimin e tij për forcimin e familjeve, rinisë dhe unitetit qytetar në New Jersey.

TEKSTI I PLOTË I REZOLUTËS, në komentin e pare, poshtë:

SHTETI I NEW JERSEY-T

SENATI DHE ASAMBLEJA E PËRGJITHSHME

Dhoma e Shtetit,

Trenton, New Jersey

REZOLUTË E PËRBASHKËT LEGJISLATIVE

Nga Senatori Corrado dhe Anëtarët e Asamblesë DePhillips dhe Barlas

DUKE QENË SE, Shteti i New Jersey-t ka shpallur muajin janar si Muaji i Trashëgimisë Myslimane, një rast i përshtatshëm për të njohur kontributet e rëndësishme që amerikanët myslimanë kanë dhënë në forcimin e një “Garden State” të begatë dhe në ndërtimin e një bashkimi edhe më të përsosur; dhe

DUKE QENË SE, në këtë kuadër, Senati dhe Asambleja e Përgjithshme e Shtetit të New Jersey-t kanë kënaqësinë të njohin Imam Gazmend Aga, një udhëheqës të shquar fetar, ndërtues komuniteti dhe bari shpirtëror, për përpjekjet e tij frymëzuese në avancimin e vlerave dhe aspiratave më fisnike njerëzore, duke i siguruar atij një reputacion të lartë dhe respekt të qëndrueshëm nga ky Organ Legjislativ; dhe

DUKE QENË SE, i njohur me dashuri si Imam Gazi, Imam Gazmend Aga shërben me dallim të veçantë si Drejtor i North East Islamic Community Center në Wayne Township, një rol thelbësor që përfiton nga udhëheqja e tij shembullore dhe mbikëqyrja efektive e programeve me vlerë që mbështesin familjet dhe të rinjtë; dhe

DUKE QENË SE, si Imam i Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Borough of Riverdale, ai ofron kujdes pastoral për besimtarët myslimanë dhe vlerësohet për përkushtimin e tij në ruajtjen, kultivimin dhe festimin e trashëgimisë kulturore të komunitetit të tij. Kjo përgjegjësi është formuar edhe nga përvoja e tij e mëparshme në komunitetin mysliman shqiptaro-amerikan të Waterbury, Connecticut, ku ka fituar vlerësim të gjerë për lehtësimin e dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit qytetar si pjesë e iniciativës Three Amigos, e cila bashkoi një prift, një rabin dhe një imam për të ndërtuar ura uniteti në shoqëri; dhe

DUKE QENË SE, i admiruar për ngrohtësinë, sinqeritetin dhe përkushtimin ndaj shërbimit, Imam Gazi është një folës i kërkuar në forume komunitare dhe institucione arsimore, dhe dhembshuria e tij e jashtëzakonshme reflekton dashurinë e thellë që ai ka për njerëzit me të cilët shërben; dhe

DUKE QENË SE, në të gjitha sferat, Imam Gazmend Aga ka vendosur një standard të lartë përsosmërie për ata që synojnë t’i shërbejnë njerëzimit me hir dhe përulësi;

PRANDAJ, VENDOSET nga Senati dhe Asambleja e Përgjithshme e Shtetit të New Jersey-t:

QË KY ORGAN LEGJISLATIV

në rastin e Muajit të Trashëgimisë Myslimane, i shpreh nderim Imam Gazmend Aga-s për shërbimin e tij besnik dhe frytdhënës, përkujton shërbesën e tij të shkëlqyer fetare dhe i uron atij lumturi dhe mirësi të vazhdueshme në ditët që vijnë; dhe

VENDOS FURTHER (MË TEJ)

që një kopje e kësaj rezolute, e autentikuar siç duhet, e nënshkruar nga Presidenti i Senatit dhe Kryetari i Asamblesë, dhe e vërtetuar nga Sekretari i Senatit dhe Kancelari i Asamblesë, t’i dorëzohet Imam Gazmend Aga-s.

Vërtetuar nga:

               •             Addison B. Hitrichs – Sekretare e Senatit

               •             Dana M. Burley – Kancelare e Asamblesë së Përgjithshme

Nënshkrimet:

               •             Nicholas P. Scutari – President i Senatit

               •             Craig J. Coughlin – Kryetar i Asamblesë së Përgjithshme