Disa fjalë për kërkesën për lejimin e uniformës fetare apo shamisë në shkolla.
Shpresoj se Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë një gabim madhor duke e ndryshuar udhëzimin administrativ që ndalon bartjen e uniformës fetare – shamisë në shkolla, pasi me këtë karakteri sekular i vendit tonë do të goditet në themel, e me këtë edhe shtylla mbajtëse e identitetit shqiptar në vendin tonë.
Së pari, duhet të shtrohet pyetja se çfarë agjende janë duke shtyrë ata që po e kerkojnë këtë gjë? A kemi këtu të bëjmë me të drejtat e njeriut apo me atë që e ka emrin e vërtetë – futjen e islamit politik përmes derës së vogël ne institucionet shtetërore? Unë jam i bindur që ka të bëjë me të dytën, që në thelb ka të bëjë me ndryshimin e karakterit sekular të Kosovës që do ta shkatërrojë kohezionin shoqëror të popullit tonë.
Këto çfarë po them nuk janë hamendje, por bindje e ndërtuar nga hulumtimet në terren, të zhvilluara në vitet e fundit në shumë pjesë të Kosovës.
Kjo agjendë e shami-kërkuesve është afatgjatë dhe për cak ka gjeneratat e ardhshme, përmes transformimit të të cilave mëtohet të ndërrohet karakteri shoqëror dhe politik i vendit dhe popullit tonë.
Ajo në thelb ka për qëllim trasimin e një agjende anti-perëndimore që është në kundërshtim me vetë bazamentin e civilizimit evropian të popullit shqiptar, dhe atë që përmes premisave të “vëllazërisë muslimane” ta metastazojë ideologjinë e “umasë muslimane” që tani ka marrë përmasat e një “kombi global”, që nuk i njeh identitetet nacionale të kombeve të ndryshme që kanë besimtarë islamë.
“Umaja muslimane” tanimë është duke zënë rrënjë tek gjeneratat e reja. Një numër i konsiderueshëm i të rinjëve i konsideron më të afërt muslimanët e një vendi të largët islam, si p.sh. Indonezisë, që kurrë nuk i kanë takuar në jetën e tyre, se sa një shqiptar te konfesionit tjetër apo ateist.
Me këtë agjendë do t’i plotësohen të gjitha dëshirat Serbisë dhe armiqve të tjerë të Kosovës, ashtu siç janë plotësuar dëshirat e Rusisë për Çeçeninë, që nga një popull me nacionalizëm sekular, kur ishin nën udhëheqjen e gjeneralit Dudajev, kur pothuajse e kishin pavaresinë në dorë, u shndërruan në vasalë të ndyrë të Rusisë nën udhëheqjen e radikalit islamik Kadyrov, që bashkëjeton me ortodoksinë ruse dhe lufton kundër Ukrainës pro-perëndimore.
Edhe një gjë që duhet ta kemi të qartë është fakti që pothuajse asnjë nga vendet islame nuk e konsideron armik Rusinë e Putinit, ndërsa ata e respektojnë mbrojtjen amerikane, kryesisht prej frikës që e kanë nga Irani.
Prandaj, duhet të vëmë gishtin në kokë dhe të mos e shkatërrojmë të ardhmen e vendit dhe të popullit tonë, që e ka arritur lirinë dhe pavaresinë me shumë sakrifica dhe me ndihmën kyçe të perëndimit, aty ku e kemi vendin, si popull me civilizim evropian.
(Autori është drejtor eksekutiv i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, KIPRED. Ky shkrim është marrë nga profili i autorit në Facebook)