Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Proçedura e përshpejtuar për shqyrtimin e aplikimit për dokument/leje udhëtimi.
Nëse për ndonjë arsye urgjente ju duhet të udhëtoni jashtë Shteteve të Bashkuara brenda një date të caktuar, ju rekomandojmë që, nëse është e mundur, të paktën 45 ditë përpara datës kur keni në plan të udhëtoni, të paraqisni një kërkesë për përshpejtimin e shqyrtimit të aplikimit për t’u pajisur me dokument udhëtimi.
Mund të kërkoni përshpejtimin e shqyrtimit të formularit për dokument udhëtimi, Form I-131, Application for Travel Documents, Parole Documents, and Arrival/Departure Records, duke telefonuar Qendrën e Kontaktit në numrin 800-375-5283 (TTY 800-767-1833) ose duke pyetur Emmën (asistentja virtuale). (Mund të pyesni Emmën duke klikuar ikonën “Ask Emma” në pjesën e sipërme djathtas të kësaj faqeje.) Nëse keni një llogari online në faqen përkatëse të USCIS-it si dhe akses në mesazhet e sigurta, mund ta paraqisni kërkesën edhe aty, duke zgjedhur opsionin “expedite”. Do t’ju kërkohet të ngarkoni në llogarinë tuaj online dokumente që mbështesin arsyen pse po paraqisni kërkesën.
Mund t’i kërkoni USCIS-it të përshpejtojë shqyrtimin e llojeve të mëposhtme të dokumenteve të udhëtimit:
- Dokumentet e autorizimit paraprak për udhëtim (Advance Parole) për shtetasit e huaj në Shtetet e Bashkuara që kërkojnë të rikthehen aty pas një udhëtimi të përkohshëm jashtë vendit (përfshirë autorizimin paraprak për udhëtim që u lëshohet rezidentëve afatgjatë të Commonwealth-it të Ishujve Mariana Veriore (CNMI)).
- Dokumentet e autorizimit për udhëtim për personat me Status Mbrojtjeje të Përkohshme (TPS).
- Lejet e rihyrjes (Reentry permits); dhe
- Dokumentet e udhëtimit për refugjatë.
Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni faqen e kërkesave për proçedurë të përshpejtuar (Expedite Requests) dhe udhëzimet në manualin e rregulloreve të USCIS-it për këto lloj kërkesash në https://www.uscis.gov/forms/filing-guidance/expedite-requests
Nëse ndodheni në Shtetet e Bashkuara dhe ju duhet të udhëtoni urgjentisht jashtë Shteteve të Bashkuara brenda më pak se 15 ditësh, USCIS-i mund t’ju lëshojë një dokument udhëtimi për këtë qëllim. USCIS-i mund të lëshojë urgjent një dokument udhëtimi për:
- Dikë që ka bërë kërkesë për udhëtim urgjent për shkak të vdekjes ose sëmundjes së rëndë të një anëtari të familjes ose të një miku të afërt.
- Dikë që ka paraqitur në kohë kërkesën për dokument udhëtimi dhe ka kërkuar përshpejtimin e shqyrtimit të saj, por çështja ka mbetur ende në pritje dhe tani personi në fjalë duhet të udhëtojë brenda 15 ditësh për arsye të një angazhimi urgjent profesional, akademik ose thjesht personal.
Për të pyetur lidhur me procedurën e përpunimit urgjent të një dokumenti udhëtimi, telefononi Qendrën e Kontaktit në numrin 800-375-5283 (TTY 800-767-1833) ose kërkoni një takim përmes My Appointment në faqen https://my.uscis.gov/en/appointment/v2
Nëse situata juaj kualifikohet për proçedurë urgjente, USCIS-i do t’ju caktojë një takim në një nga zyrat lokale. Në takim duhet të merrni me vete:
- Formularin për dokument udhëtimi Form I-131, Application for Travel Documents, Parole Documents, and Arrival/Departure Records, të plotësuar dhe të nënshkruar siç duhet, së bashku me tarifën përkatëse, nëse kërkohet një e tillë (Shënim: Edhe nëse keni paraqitur një Formular I-131 i cili është në pritje për shqyrtim, gjatë takimit në zyrën lokale duhet të paraqisni një Formular të ri I-131, së bashku me tarifën, gjithnjë nëse ju kërkohet.)
- Dokumente provë në mbështetje të kërkesës për dokument udhëtimi (shihni udhëzimet për paraqitjen e formularit);
- Dokumente provë që dëshmojnë nevojën urgjente për të udhëtuar (shihni faqen Expedite Requests); dhe
- 2 fotografi në formatin e fotografisë së pasaportës.
- Çdo dokument që nuk është në anglisht duhet të shoqërohet me përkthim të plotë të certifikuar në anglisht.
Çdo rast paraqet fakte dhe rrethane unike, dhe ky artikull vlen thjesht si udhëzues i përgjithshëm. Ky artikull nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com