LEVIZJA ANTIKOMBËTARE ‘DUM BABËN, DUM BABËN!’

                                                                   (Refleksione)

Nga Thanas L. Gjika

Në verën e vitit 1914 agjentura xhonturke arriti t’i kundërvihej e ta dëmtonte rëndë shtetin e pavarur shqiptar. Kjo agjenturë vuri në krye të lëvizjes antikombëtare Haxhi Qamilin, një fshatar tiranas, që nuk i njohte ndjenjat kombëtare të Rilindjes shqiptare.

Parulla kryesore e militantëve të kësaj lëvizjeje ishte: “Dum babën, Dum babën!”. Kjo parullë shprehte dëshirën për të mos njohur qeverinë e shtetit të pavarur shqiptar dhe dëshirën për t’u rikthyer te varësia e sulltanit. Sulltani ishte “babait shpirtëror” për shumicën e atyre shqiptarëve, të cilët pushteti osman i kishte bërë për vete duke u dhënë ofiqe, tituj, grada, shkollim, nëpunësira, toka, etj. Pushteti i lartë turk gjatë tre shekujve të fundit, duke përdorur politikën e kulaçit e të kërbaçit, kishte realizuar kthimin e gati 70% të popullit shqiptar në fenë e pushtuesit, në Islamizëm.

Shumë shqiptarë muhamendanë në vitin 1913 nuk e dinin se të parët e tyre ia kishin dhënë fjalën sunduesit, pra kishin pranuar të ndërronin fenë, si pasojë e një politike korruptive: kishin dhënë fjalën për ndërrimin e besimit fetar në kompesim të një shpërblimi (mospagim i disa taksave, mosmarrja ushtar e djemve, dhënia e disa tokave si pronë e trashëgueshme, dhënia e titujve e gradave ushtarake, dhënie nëpunësish, etj). Për këta shqiptarë nuk kishte rëndësi nëse të parrët e tryre kishin besuar ose jo se Islamizmi ishte më i mirë se Krishtërimi. Edhe vetë këta shqiptarë nuk shquheshin për besm të thellv e të sinqertë tej Islami, por përsërisnin si papagaj fjalët “Kaur i derrit”, fjalë fyese që kishin sajuar pushtetarët osmanë për të përçarë popullin shqiptar, me qëllim që shqiptarët të mos vllazëroheshin midis tyre, por të ndjeheshin armiq për shkak të besimeve të ndryshme.

Ndjenja e urrejtjes midis shqiptarëve u ripërsërit me forcë edhe gjatë sundimit të diktaturës komuniste, kur populli u rinda në dy kategori të reja kundërshtare: Në shqiptarë që ishin me pushtetin komunist dhe në shqiptarë që ishin armiq të pushtetit komunist. Shqiptarët e kategorisë së dytë, i përcaktonte udhëheqja e partisë-shtet, jo nga veprimet e tyre, por sipas planit të quajtur “Lufta e klasave”, plan sipas të cilit shqiptarët nuk duhej të shikonin tek njëri-tjetri birin e një gjaku, por armikun.

Pas vdekjes së diktatorit Hoxha, pasardhësit e tij, njerëz të shpërblyer prej tij me dhënie postesh e detyrash, nuk mund ta mohonin “Babën e tyre shpirtëror”. Edhe pse e dinin se sistemi shoqëror i botës Perëndimore ishte shumë më i përparuar se sistemi i diktaturës komuniste, Ramiz Alia, Nexhmie Hoxha dhe gjithë klani i tyre, si njerëz me moral të kalbur. nuk mund të pranonin se kishin gabuar, nuk mund t’i kërkonin popullit të falur për gabimet dhe krimet që kishin bërë nën diktatin e diktatorit. Vijuan rrugën e baba Enverit

Për të keqen e popullit shqiptar, pas kapitullimit të sistemit diktatorial më 1991-1992, në Shqipëri, klani Hoxha-Alia arriti të krijonte një klasë politike me shumicë ish-komunistë e ish-sigurimsa, e cila mori drejtimin e të gjitha partive politike. Kjo klasë politike deri sot ka zbatuar në kushtet e pluralizmit të njëjtën politikë të urrejtjes së shqiptarëve midis tyre, kësaj radhe sipas përkatësisë partiake. Anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Socialiste, dhe të partive të tjera të majta kanë urryer, sharë e fyer anëtarët e simpatizantët e Partisë Demokratike dhe të partive të tjera të djathta, natyrisht dhe kjo ka ndodhur dhe anasjelltas. Me një fjalë ka vijuar zbatimi i parimit enverist i “Luftës së klasave” me sharje e fyerje dhe jo ndërtimi i një strategjie për mbarëvajtjen e problemeve politike, ekonomike dhe kombëtare në të mirë të mbarë popullit tonë.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, si njeri me mentalitet komunist zbatoi në partinë që drejtoi, de jure ose de fakto, për 30 vjet politikën e krijimit të klanit të vet brenda partisë, përmes dhënies së licensave, pasurive jo ligjore, nëpunësive, etj. Ai i la të përndjekurit dhe gjithë shtresën e gjerë të partisë pa përkrahje, pa krijuar shtetin ligjor, por anarki. Kështu e ktheu Partinë Demokratike nga partia më e madhe opozitare në një parti gogol, me të cilën ndihmoi Edvin Ramën të merrte pushtetin për herë të dytë e të tretë.

Aleati ynë më i madh, SHBA-të, duke e konsideruar këtë person si të keqen më të madhe, si shkaktarin kryesor të dështimeve të demokracisë në Shqipëri, e shpalli “Non grata” dhe e këshilloi Lulzim Bashën, kryetarin de jure të PD-së ta përjashtonte atë nga grupi parlamentar. Nga ana e tij S. Berisha, në vend që të reflektonte mbi gabimet dhe krimet që kishte bërë gjatë këtyre 30 vjetëve dhe të kërkonte të falur, ndërmori një lëvizje për të dëmtuar Partinë Demokratike me qëllim që të sjellë në krye të saj një shërbëtor të tij për t’ia mbuluar fajet, gabimet e krimet.

Kjo sjellje e S. Berishës nuk çudit njeri, përderisa ai ka qenë mbi 20 vjet anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë, pra njeri i brumosur në rini me mentalitet komunist deri më 1990. Ne duhet të na çudisin ata përkrahës të tij që i shkojnë pas nëpër foltore dhe e dëgjojnë të flasë kundër Edvin Ramës e Lulzim Bashës, pa përmendur fajet e gabimet e veta për dështimet që pati PD-ja sidomos gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit, kur ai, udhëheqësi de jure e de fakto, e degradoi PD-në në një gogol që e ndihmoi Edvin Ramën të fitonte tri herë zgjedhjet.

Ndjekësit e S. Berishës, anëtarë ose jo të PD-së, që i shkojnë pas nëpër foltore dhe nuk i kërkojnë të japë llogari për dëmet që i shkaktoi partisë së vet dhe e zemëroi aleatin tonë të madh, mua më kujtojnë haxhiqamilistët që thërrisnin më 1914-1915: “Dum babën, Dum Babën!”