Lëvizja Vetëvendosje e propozon Albin Kurtin për një mandat tjetër të kryeministrit

Prishtinë, 7 shtator 2025 – Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurtin, njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, për mandat një tjetër të kryeministrit të vendit.

Kandidatura e Kurtit është miratuar me votë unanime të dielë, në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Në fjalimin e tij, Kurti i ka falënderuar anëtarët e partisë për besimin e dhënë dhe e ka shpalosur programin e qeverisjes në mandatin e ri.

Mes tjerash, Kurti e ka përmendur synimin e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Në një pjesë të fjalimit, ai e ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për vendimet që i ka marrë gjatë mandatit të tij qeverisës, dhe ato të muajve të fundit lidhur me konstituim të Kuvendit.

LVV e ka marrë vendimin për propozim të Kurtit vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime për zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Masa do të jetë në fuqi deri më 30 shtator. Ajo është kritikuar nga LVV-ja, e cila ka bërë thirrje të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë duke fituar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës – të pamjaftueshme për të formuar vetë Qeverinë.

(r.m.)