Prishtinë, 4 nëntor 2025 – Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka propozuar nënkryetarin e partisë, Glauk Konjufcën, për kryeministër të Kosovës.
Konjufca është propozuar për këtë pozitë pasi kryetari i LVV-së, Albin Kurti, nuk arriti t’i marrë votat e nevojshme për formimin e qeverisë.
Kurti ka thënë se Konjufcën e ka propozuar për kryeministër për të shmangur zgjedhjet e parakohshme parlamentare,
“Këtë propozim e bëj për shkak të besimit të madh që kam për Konjufcën, por edhe për shkak që të mos bëhen zgjedhje tjera. Unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin”, ka thënë ai në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.
Kurti ka thënë se ai vetë do të jetë kandidat për ministër të Punëve të Jashtme, pozitë kjo për të cilën e kishte propozuar Konjufcën.
“Unë e marr vendin e Glaukut, kurse ai timin, siç jemi dakorduar bashkë mbrëmë”, tha kreu i LVV-së.
Në përbërjen e kabinetit qeveritar që nuk fitoi votat e mjaftueshme të Kuvendit, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit më 26 tetor, Konjufca ishte propozuar për zëvendëskryeministër dhe minister të Punëve të Jashtme.
Kurti tha se shpreson opozita në Kuvendin e Kosovës do të “reflektojë” dhe do ta votojë qeverinë e udhëhequr nga Konjufca dhe kështu të shmangen dy palë zgjedhje dhe të miratohet buxheti për vitin 2026.
“Caktimi i mandatarit të dytë në këto rrethana është domosdoshmëri. Le ta votojë opozita një qeveri të udhëhequr nga Glauku, në mënyrë që të procedohet buxheti i shtetit nga një qeveri fuqiplotë”, ka thënë ai.
Ndërkaq Konjofca e ka cilësuar si “kompromis të madh” të LVV-së zëvendësimin e emrit të Kurtit për kryeministër me emrin e tij. Ai ka shtuar se kompromisin duhet ta pranojë edhe opozita.
“Më shumë se kaq nuk ka mundësi, sepse po e prezantojmë një Qeveri ku kryeministër nuk është Kurti dhe ky është kompromis i madh. Tash e ka radhën opozita për kompromisin e vet”, ka thënë Konjufca.
Ai ka thënë se janë dy arsye të forta për votimin e kabinetit qeveritar që do ta propozojë ai.
“Së pari, shmangia e dy palë zgjedhjeve të mundshme brenda tre muajsh dhe së dyti, votimi i buxhetit 2026, pa të cilin rrezikohen dimensionet vitale të shtetit, pagat e sektorit publik, pensionet, shtesat e projektet esenciale të shtetit tonë”, ka thënë ai.
“Partitë e tjera e kanë në dorë nëse duan të bëjmë zgjedhje tani. Por, mua më duket se shpata e gjykimit është më e mprehtë se më parë”, ka theksuar Konjufca.
Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, Konjufca është pyetur nga gazetarët nëse ka indikacione se ai do ta marrë mbështetjen e partive tjera shqiptare të përfaqësuara në Kuvend.
“Besoj që forcat opozitare do të reflektojnë dhe do të kemi një bashkëpunim pozitiv që këto dy gjëra të ndodhin: e para, shmangia e zgjedhjeve në dhjetor dhe, e dyta, votimi i buxhetit të Kosovës”, është shprehur ai.
Emri i Konjufcës do t’i dërgohet presidentes Osmani për mandatim nga kreu i LVV-së, Albin Kurti. Osmani ka afat deri nesër që të vendosë nëse do ta mandatojë për kryeministër Konjufcën apo dikë tjetër ose do të shpallë zgjedhjet e reja. Sipas Kushtetutësm, në rast se Konjufca mandatohet nga Presidentja për kryeministër, ai i ka 15 ditë afat për propozimin e përbërjes së kabinetit të tij qeverisës para Kuvendit të Kosovës.
(r.m.)