Prishtinë, 18 gusht 2025 – Lëvizja Vetëvendosje e ka kritikuar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit, të publikuar të hënën.
Në një komunikatë për medie, ajo e ka ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese për “tejkalim të juridiksionit” të saj, ndërsa aktgjykimin e ka cilësuar si “vendim arbitrar që e cednon demokracinë”.
“Tejkalimi i juridiksionit nuk justifikohet me asgjë. Ditët vonesë për publikimin e vendimit njoftojnë pamundësinë për ta justifikuar vendimin arbitrar që cënon demokracinë”, thuhet në komunikatë.
Lëvizja Vetëvendosje e akuzoi Gjykatën Kushtetuese se, siç thuhet në komunikatë, “duket se po e përgatit terrenin për dhënien e së drejtës së propozimit ndonjë partie tjetër pas 30 ditëve, nëse dështon partia e parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, siç kërkojnë partitë opozitare.
“Në arsyetimin e Gjykatës dallohet se nuk ka asgjë tjetër përpos frazave të përdorura nga PDK mbi analogjinë. Në bazë të ‘tezës’ së analogjisë me zgjedhjet e institucioneve të tjera, duket se Gjykata po përgatit terrenin për dhënien e së drejtës së propozimit ndonjë partie tjetër pas 30 ditëve nëse dështon partia e parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Këtë po e kërkojnë dhe thonë eksponentët opozitarë, madje edhe në komentet dërguar kushtetueses. Këtë po e kërkojnë dhe thonë eksponentët opozitarë, madje edhe në komentet dërguar kushtetueses”, thuhet në komunikatën e e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në komunikatën nuk thuhet shprehimisht nëse kjo parti do ta respektojë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por para publikimit të tij, kryetari i kësaj partie e kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka lënë të hapur edhe mundësinë e kontestimit të këtij aktgjykimi.
“Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që Qeveria e Kosovës me mua si kryeministër nuk e ka respektuar. Dhe, nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, të cilin edhe unë si kryetar i LVV-së, si subjekti më i madh në vend e Kuvend, nuk e kam respektuar. Por, kur më pyesin sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kjo më bën të mendoj që do të jetë pazakonshëm i padrejtë, i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, ka thënë Kurti.
“Kur ta lexojmë aktgjykimin e plotë, do ta japim vlerësimin tonë meritor”, ka thënë ai.
Komunikata e plotë e Lëvizjes Vetëvendosje:
10 ditët e Aktgjykimit
Pas 10 ditësh Gjykata pranoi që përmes Aktgjykimit të publikuar sot ka shkruar rregull të ri.
Tejkalimi i juridiksionit nuk justifikohet me asgjë. Ditët vonesë për publikimin e vendimit njoftojnë pamundësinë për ta justifikuar vendimin arbitrar që cënon demokracinë.
Kufijtë e ngushtë të arsyetimit sot janë rrjedhojë e gjerësisë së tejkalimeve që ia ka lejuar vetes Gjykata.
Se votimi i fshehtë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, u konfirmua sërish. Zhurma opozitare u rrëzua përsëri. Por paragjykimi i Gjykatës për mungesën e konsensuesit politik sa kohë që nuk është hedhur asnjëherë në votim është ecje në rrugën e subjekteve bllokuese. Kjo rrugë na kthen pas aty ku nuk pati rezultat.
Analogjia që përdor Gjykata nuk ka ku të qendrojë. Kushtetuta ndryshe nga zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit, për zgjedhjen e Presidentit i përcakton qartë raundet e votimit edhe pasojat juridike të moszgjedhjes brenda një afati. Në arsyetimin e Gjykatës dallohet se nuk ka asgjë tjetër përpos frazave të përdorura nga PDK mbi analogjinë. Në bazë të “tezës” së analogjisë me zgjedhjet e institucioneve të tjera, duket se Gjykata po përgatit terrenin për dhënien e së drejtës së propozimit ndonjë partie tjetër pas 30 ditëve nëse dështon partia e parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Këtë po e kërkojnë dhe thonë eksponentët opozitarë, madje edhe në komentet dërguar kushtetueses.
Si rrallë herë, Gjykata Kushtetuese nuk iu referua asnjë kushtetute evropiane dhe botërore, as nuk kërkoi mendime të gjykatave kushtetuese homologe për krahasueshmëri rastesh. Një rast pra si asnjë rast tjetër.
(r.m.)