
(Fjalë rasti në promovimin solemn të librit të tij “Lëvizja Revolucionaro-Kombëtare Shqiptare dhe Maqedonase në rrjetet e diplomacisë Sovjetike -1922-1928” në Panairin e V-të mbarëkombëtar të librit akademik shkencor, në Tiranë)
Të gjithë e njohin aforizmin e shkrimtarit dhe filozofit anglez Aldous Huxley, sipas të cilit mësimi më i rëndësishëm nga historia është se njerëzit nuk mësojnë nga gabimet e saj. Ky aforizëm i referohet drejtpërdrejt mendimit të shprehur nga Georg Wilhelm Friedrich Hegel në veprën Philosophy of History: “Udhëheqësit, burrat e shtetit dhe kombet shpesh këshillohen të marrin parasysh mësimet e historisë. Por përvoja dhe historia dëshmojnë se popujt dhe qeveritë kurrë nuk kanë mësuar prej saj dhe as nuk kanë vepruar sipas parimeve të nxjerra nga ajo.”
Në të vërtetë, tashmë prej kohësh është zbehur pritshmëria se historia do të shërbejë si mësuese për të shmangur përsëritjen e gabimeve. Kjo fazë e perceptimit të historiografisë mund të konsiderohet e tejkaluar.
Megjithatë, shtrohet pyetja thelbësore: çfarë pritet nga historia? Në gjykimin tim, funksioni themelor i historisë është të mundësojë kuptimin e së kaluarës, në mënyrë që të ndriçojë të tashmen , pra të shpjegojë rrugën përmes së cilës kemi arritur në realitetin aktual. Paralelisht, përveç analizës së proceseve dhe ngjarjeve, historia duhet të vendosë në qendër të saj njeriun. Siç ka theksuar historiani francez Antonin Debidour, misioni i historisë është “ringjallja dhe rikthimi në jetë i atyre që kanë kaluar”.
Këto parime e përbëjnë bazën motivuese të këtij hulumtimi, i cili kulmon me botimin që prezantohet sot.
Studimi trajton politikën sovjetike ndaj lëvizjeve revolucionare maqedonase dhe shqiptare në periudhën 1922–1928.
Kufizimi kohor nuk është i rastësishëm: pikërisht gjatë këtyre viteve u intensifikua procesi i vendosjes së lidhjeve ndërmjet përfaqësuesve të këtyre lëvizjeve dhe diplomacisë ilegale sovjetike. Si rezultat i këtyre kontakteve u formuan organizatat KОNАRЕ dhe VMRO (e bashkuar), së bashku me organet e tyre përkatëse të shtypit.
Në vitin 1928, shpërbërja e Komisionit Ballkanik pranë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Ruse shënoi përfundimin e interesimit aktiv të Bashkimit Sovjetik për Ballkanin, si dhe njëkohësisht reflektimin e zhgënjimit të thellë ndaj lëvizjeve revolucionare të rajonit.
Kjo periudhë karakterizohet nga një dualitet i qartë i politikës sovjetike: nga njëra anë aspirata për revolucion botëror, ndërsa nga ana tjetër përpjekja për normalizimin e marrëdhënieve me vendet kapitaliste. Në këtë kontekst, lëvizjet kombëtare perceptoheshin si potenciale shtytëse të revolucionit global.
Sa i përket përzgjedhjes së objektit të studimit, përqendrimi në lëvizjet shqiptare dhe maqedonase, buron nga fakti se ato përfaqësoheshin si ndër më të fuqishmet në Ballkan në atë periudhë, të mishëruara përkatësisht në Komitetin e Kosovës dhe VMRO. Këto lëvizje ndanin ngjashmëri të theksuara si në objektivat strategjike — bashkimin kombëtar — ashtu edhe në metodat e veprimit, përfshirë luftën e armatosur.
Për shkak të natyrës ilegale të veprimtarisë së diplomacisë sovjetike, burimet janë të kufizuara. Në këtë kuptim, përdorimi i metodës së analogjisë, bazuar në ngjashmëritë ndërmjet dy lëvizjeve dhe qasjes sovjetike ndaj tyre, rezulton thelbësor për plotësimin e boshllëqeve dokumentare. Kjo e bën të domosdoshme analizën e tyre në mënyrë paralele.
Vepra përbëhet nga dy pjesë: monografia dhe përmbledhja e dokumenteve.
Qëllim ka qenë që dokumentacioni të shërbejë si plotësues i analizës, duke e tejkaluar njëkohësisht atë në shtrirjen e tij burimore.
Në aspektin strukturor, monografia përmban një dimension teorik, ku trajtohen çështje si zhvillimi i konceptit të revolucionit botëror, interpretimi i sistemit të Versajës dhe parimit të vetëvendosjes së kombeve, si dhe natyra e diplomacisë sovjetike — si në formën legale, ashtu edhe në atë ilegale.
Në pjesën empirike trajtohen konkretisht: qendra vjeneze e diplomacisë ilegale sovjetike, kontaktet me përfaqësuesit e lëvizjeve shqiptare dhe maqedonase, format e veprimit, motivet e bashkëpunimit, formimi dhe veprimtaria e organizatave përkatëse, si dhe përpjekjet për bashkëpunim të ndërsjellë.
Nga vetë gama e çështjeve të trajtuara rezulton qartë se bëhet fjalë për një fushë kërkimore e cila deri më tani është eksploruar pjesërisht ose ka mbetur në margjinat e historiografisë.
Shpreh bindjen se kjo monografi do të kontribuojë në ndriçimin e çështjeve të ndërlikuara dhe shpesh sensitive të historisë sonë.
***
Në këtë moment, ndiej detyrimin moral dhe njerëzor të kujtoj me nderim të thellë ata që nuk janë më në mesin tonë, por ndaj të cilëve mbetemi përherë borxhlinj për lirinë që sot e gëzojmë.
Dua të përkujtoj veçanërisht një figurë të madhe, e cila, siç besoj, na ndriçon dhe na vëzhgon nga lart, dhe e cila pati një ndikim vendimtar në formimin tim intelektual dhe njerëzor, duke më dhënë edukatën mbi të cilën sot qëndroj si individ.
Me respekt të veçantë e kujtoj babain tim, i cili, vetëm dy javë para se mizoritë e gjenocidit serb gjatë luftës, saktësisht me 5 prill.1999, t’ia merrnin jetën në mbrojtje të shtëpisë, familjes dhe popullit, më la një amanet të dyfishtë: besimin e palëkundur se Kosova do të çlirohej dhe do të bëhej shtet, si dhe detyrimin që unë të kthehesha dhe të kontribuoja pa kursim në ndërtimin e vendit.
Ai më la edhe një mesazh më të thellë: edhe nëse nuk do të gjendeshin eshtrat e tij, unë duhet të vazhdoja rrugën e atyre që i paraprinë kësaj përpjekjeje historike, duke e ndjekur vizionin e bashkëpunimit dhe përkushtimit ndaj çështjes kombëtare sipas parimit të Hasan Prishtinës. Këto fjalë mbeten për mua jo vetëm kujtim, por udhërrëfyes.
Po ashtu, shpreh mirënjohjen time të thellë për nënën time, e cila me përkushtim dhe sakrificë më rriti dhe më edukoi, duke qenë shtylla themelore e formimit tim.
Një falënderim i veçantë i takon bashkëshortes sime, Ing. Bahrijes, për mbështetjen e vazhdueshme dhe mirëkuptimin, si edhe fëmijëve të mi, Arianit dhe Pleuratit, të cilët janë burim frymëzimi dhe force për mua.
Gjithashtu, me dashuri përmend mbesën time, Herën, si simbol të vazhdimësisë dhe shpresës për të ardhmen.
Këto fjalë mbeten për mua jo vetëm kujtim, por edhe udhërrëfyes në rrugëtimin tim personal dhe profesional.
Ju faleminderit.
