Lezhë: 4 ish-zyrtarë do të gjykohen për dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune – Vainit

Tiranë, 7 qershor 2024 – Ish-drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Lezhë, Pjeter Toni dhe 3 ish zyrtarë të këtij institucioni janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Lezhë

Organi i akuzës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim, procedimin penal nr.388 të vitit 2022 në lidhje me “dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune – Vainit, konkretisht në vendin e quajtur “Grykëderdhja e Matkeqës”.

Pjetër Toni, Pashk Noka, Armando Lleshaj dhe Tom Gjelaj do të përballen në Gjykatë me akuzën e “Shpërdorimit të Detyrës”, pasi nga hetimet e drejtuara nga prokurori Sabri Kastrati ka rezultuar se 4 zyrtaret e ADZM nuk kanë përmbushur detyrat funksionale, duke lejuar dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune-Vainit.

Hetimi i cili nisi në vitin 2022 ka provuar se në zonën e mbrojtur janë hedhur inerte për ta kthyer atë në tokë dhe po ashtu ka pasur përpjekje për tjetërsimin e saj.

Organi i akuzës u vu në lëvizje pas denoncimit në media të rastit, ku fillimisht u arrestuan Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Pjetër Toni dhe 3 zyrtaret e këtij dikasteri, por pas disa kohësh masat e sigurisë u ndryshuan dhe ata u lanë të lirë.

Një investigim i BIRN në vitin 2022, zbuloi se 4 zyrtarët e ngarkuar për mbrojtjen e rezervatit të Kune-Vainit bënë një sy qorr ndaj hedhjes së inerteve në kanalin që ushqen me ujë të kripur lagunën.

Inertet e hedhura në mënyrë të paligjshme bllokuan kanalin kryesor që lidh lagunën me detin dhe e ushqen atë më ujë të kripur dhe oksigjen, një krim mjedisor që sipas ekspertëve ka vënë në rrezik faunën e ligatinës.

(Reporter.al)