Tiranë, 28 tetor 2025 – Ish-ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu është emëruar drejtor i Portit të Durrësit.
Zyrtarizimi i këtij emërimi u bë të martën nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku.
Balluku, në një konferencë për media, ka thënë se Aliu është emëruar si profesionist dhe menaxher.
“Porti i Durrësit për ne ka qenë një prioritet. Kemi kërkuar gjithmonë që të drejtohej nga profesionist jo vetëm që njohin transportin por nga ana tjetër me aftësi negociuese me trupa ndërkombëtarë pasi Porti i ri i Durrësit parashikohet që të jetë edhe një bazë e NATO-s”, ka thënë Balluku.
Balluku ka treguar se Aliu e kishte pranuar propozimin e saj për emërim në këtë detyrë pasi ai kishte në plan të jetonte në Tiranë.
“Në fillim të muajit shtator bëra një bisedë me Liburnin dhe e pyeta, meqenëse më kishte njoftuar se po dilte nga politika, nëse do të kishte interes që të kontribuonte në Shqipëri, si rrjedhojë edhe për Kosovën. E diskutuam me njëri-tjetrin dhe më ngrohu direkt zemrën, sepse iu duk një propozim shumë interesant, një propozim që i shkonte për shtat vendimit që ai kishte marrë për të jetuar në Tiranë”, ka thënë Balluku.
Ajo ka thënë se ajo e kishte çuar menjëherë propozimin te kryeministri Edi Rama, i cili e kishte miratuar pa hezitim.
“Kështu që me radhën time këtë propozim e qova te kryeministri. Edi Rama ka punuar historikisht për Shqipërinë dhe Kosovën me të njëjtin pasion dhe dëshirë për t’i parë shqiptarët në lartësinë që ata meritojnë”, ka thënë zëvendëskryeministrja.
Ajo ka theksuar se përfshirja e një ish-ministri nga Kosova në një post kaq të rëndësishëm në Shqipëri është shembull i bashkëpunimit midis Shqipërisë e Kosovës.
“Nuk është hera e parë që qytetarë të Kosovës janë përfshirë në ekzekutivin shqiptar, por Liburn Aliu, them unë, është më i spikaturi ndër të gjithë kolegët e tjerë kosovarë që i janë bashkuar në rrugëtimin tonë për ndërtimin e Shqipërisë”, është shprehur ajo.
Balluku, në fund të prezantimit të Aliut, e ka cilësuar Portin e Durrësit si asset strategjik që “i shërben gjithë hapësirës shqiptare dhe rajonit”.
Ndërkaq Aliu u ka shprehur mirënjohje Qeverisë së Shqipërisë, Kryeministrit Edi Rama dhe ministres Belinda Balluku për emërimin e tij në këtë detyrë, të cilën e ka vlerësuar si “mjaft sfiduese”. Ai e ka cilësuar Portin e Durrësit si “pasuri kombëtare e rajonale”.
“Porti i Durrësit vërtet nuk është vetëm port i Shqipërisë, është port i të gjithë shqiptarëve, i rajonit. Sot, Kosova pothuajse pjesën dërrmuese të mallrave e merr nga ky port”, ka thënë Aliu.
Ai ka theksuar se modernizimi i portit është i domosdoshëm për ta bërë atë konkurrues në nivel rajonal
“Është e domosdoshme që ky port të modernizohet në shkallën që të jetë sfidues dhe konkurrues me gjithë rajonin”, është shprehur ai.
Aliu ka theksuar se zhvillimi i Portit të Durrësit do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në sigurinë rajonale, përmes ndërtimit të Portit të NATO-s, që do të jetë pranë terminalit tregtar. Porti i NATO-s, që do të jetë krahas portit të mallrave, do të ndihmojë gjithë rajonin që të ketë siguri më të madhe”, ka theksuar ai.
Liburn Aliu ka qenë minister i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës deri para pak kohe. Ai ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë menjëherë pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai kishte deklaruar se nuk është pajtuar me këtë zgjedhje të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Aliu ka qenë njëri ndër themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka qenë edhe njëri ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kurtit deri para pak kohe. Në zgjedhjet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje ai nuk është propozuar për asnjë pozitë në strukturat drejtuese të partisë. Ndërsa në zgjedhjet parlamentare të shkurtit nuk ishte përfshirë fare në listen e kandodatëve të Lëvizjes Vetëvendosje për deputet të Kuvenditt ë Kosovës.
(r.m.)