Liderë shtetërorë dhe mijëra besimtarë nga mbarë bota marrin pjesë në varrimin e Papa Françeskut

Vatikan, 26 prill 2025 – Më shumë se 50 liderë shtetesh dhe qindra mijëra njerëz morën pjesë në varrimin shtetëror të Papa Françeskut në Vatikan të shtunën. Katolikët romakë ia bënë nderimet e fundit një pape që ishte udhëheqës i përulur dhe mbrojtës i të varfërve, imigrantëve dhe njerëzve të tjerë të margjinalizuar.

Liderë nga më shumë se 150 vende të botës iu bashkuan turmave të besimtarëve mëngjesin e së shtunës për t’ia dhënë lamtumirën e fundit papës në meshën e varrimit në sheshin e Shën Pjetrit.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump – i cili është përplasur disa herë me Françeskun, veçanërisht për shkak të qëndrimeve të tyre të kundërta mbi imigracionin – mori pjesë gjithashtu.

Po ashtu morën pjesë edhe presidenti i vendit të lindjes së papës, Argjentinës, së bashku me krerët e shteteve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Ukrainës, Filipineve, Polonisë, Britanisë dhe Zelandës së Re.

Më shumë se dhjetëra anëtarë të familjeve mbretërore, përfshirë Princin William të Britanisë së Madhe, ishin gjithashtu të pranishëm, së bashku me rreth 224 kardinalë dhe 750 peshkopë dhe priftërinj.

Kina, e cila nuk ka marrëdhënie formale me Vatikanin, nuk dërgoi përfaqësues. Izraeli, i cili u zemërua nga kritikat e papës për sjelljen e tij në Gazë e dërgoi ambasadorin e tij në Vatikan.

Papa vdiq më 21 prill – të hënën e Pashkëve – në moshën 88-vjeçare, pas një sulmi në tru.

Vatikani njoftoi se rreth 250.000 njerëz morën pjesë në ceremoninë e varrimit në sheshin Shën Pjetri në Vatikan.

Disa nga ata që u radhitën për të parë kufomën e papës kujtuan një njeri të njohur për afërsinë e tij me njerëzit, shakatë dhe mbrojtjen e të pambrojturve.

Pas ceremonisë në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, kufoma e Françeskut u dërgua në kishën Santa Maria në Romë, ku u varros në një ceremoni private.

Gjatë papatit të tij, Françesku, i cili u zgjodh për ta udhëhequr Kishën Katolike Romake me 1.4 miliardë anëtarë në vitin 2013, u përpoq të krijonte një kishë më mendjehapur.

Ai shpesh advokonte për të varfrit dhe të margjinalizuarit, duke sfiduar vendet e pasura që t’i ndihmonin imigrantët dhe të merrnin masa kundër ndryshimeve klimatike.

“Ai ishte bari i thjeshtë dhe shumë i dashur në kryedioqezën e tij, që udhëtonte kudo, edhe me metro e autobus”, thuhet në një dokument njëfaqësh për jetën e tij, i vendosur brenda arkivolit para se të mbyllej.

“Jetoi në një apartament dhe përgatiste darkën vetë, që të ndihej si një njeri i zakonshëm”.

Pas periudhës së zisë, kardinalët katolikë nga e gjithë bota do të mblidhen për konklavën që do të zgjedhë papën e ri.

Konklava e fshehtë pritet të mos fillojë para 6 majit, për t’u lënë kohë kardinalëve të zhvillojnë takime të rregullta, ta njohin njëri-tjetrin dhe ta vlerësojnë gjendjen e kishës, përfshirë problemet financiare dhe ndarjet ideologjike.

Arkivoli i Papa Françeskut të ndjerë futet në Bazilikën Santa Maria Maggiore, vendi i varrimit të tij, gjatë ceremonisë së varrimit në Romë.

Arkivoli i Papa Françeskut dërgohet në sheshin e Shën Pjetrit për varrimin e tij, në Vatikan.

Anëtarë të klerit mblidhen përpara meshës mortore të Papa Françeskut në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

(Nga e majta në të djathtë) Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, presidenti i Finlandës, Alexander Stubb dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë ceremonisë mortore të Papa Françeskut të ndjerë, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Klerikët luten pranë arkivolit të Papa Françeskut të ndjerë, i mbuluar me librin e ungjijve, gjatë ceremonisë së varrimit në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Pamje nga varrimi i Papa Françeskut në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*