Liderët e Ballkanit Perëndimor arrijnë marrëveshje për njohjen e letërnjoftimeve dhe diplomave

Berlin, 3 nëntor 2022 – Liderët e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, nënshkruan tri marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet më 3 nëntor.

Marrëveshjet e nënshkruara pas gati dy vjet negociatash, duhet fillimisht të ratifikohen para se të hyjnë në fuqi, kanë bërë të ditur nga Qeveria e Kosovës. Marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve mundëson lëvizjen e lirë, pa viza, edhe mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Pas ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, qytetarët e Kosovës dhe ata të Bosnjës dhe Hercegovinës më në fund do të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime, duke sjellë Prishtinën dhe Sarajevën afër qytetarëve të të dyja shteteve tona”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Ndër tjerash, në këtë komunikatë thuhet se marrëveshja për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë heq “një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda rajonit”.

Qeveria e Kosovës tha se marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale mundëson që mjekët, dentistët dhe arkitektët të ushtrojnë profesionin e tyre lirshëm në rajon, në kushte “ jo më pak të favorshme” me qytetarët e shtetit pritës.

Në këtë samit po marrin pjesë liderët e vendeve të BE-së dhe ata të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, i Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq – si dhe ata të BE-së.

Nikoqiri i këtij samiti, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se nënshkrimi i tri marrëveshjeve të enjten është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Sot jemi të bindur se procesi i Berlinit, jo vetëm që do të ndihmojë për shfrytëzimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do ta përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Scholz gjatë fjalimit hapës në këtë samit, i cili ka mbledhur liderë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të BE-së.

Ai shtoi se realizimi i dëshirës së këtyre vendeve për të hyrë në BE “është në interesin tonë”, ndërsa gjithashtu kërkoi përshpejtimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është koha të tejkalohen konfliktet rajonale që kanë vazhduar shumë gjatë, konflikte që ju ndajnë juve dhe i mbajnë vendet tuaja prapa në rrugën evropiane. Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë në veçanti duhet të përshpejtohet, kështu që ejani ta bëjmë këtë”, tha Scholz.

Përveç bashkëpunimit rajonal, Scholz theksoi se “sfidat nga migrimi i parregullt, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë çështje kyçe për të gjithë ne”, ndërsa shtoi se vendet ballkanike duhet t’i harmonizojnë politikat e vizave me BE-në.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e vuri theksin te mbështetja për energji elektrike që Bashkimi Evropian ka ndarë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Jemi këtu për ta thelluar integrimin ekonomik. Duke nisur me energjinë. Pakoja për Mbështetjen Energjike prej një milardësh për Ballkanin Perëndimor do të na ndihmojë ta formësojmë të ardhmen tonë të përbashkët në energji”, shkroi Von der Leyen në Twitter.

Von der Leyen, gjatë vizitës në Kosovë më 27 tetor, kishte bërë të ditur se BE-ja pritet të ndajë 75 milionë euro si ndihmë të menjëhershme për Kosovën në përballimin e krizës energjetike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas nënshkrimit të marrëveshjes, në një postim në Twitter, theksoi rëndësinë e ndihmave financiare për mbulimin e kostove të energjisë.

“Gazi i lirë i Rusisë është i kushtueshëm për sigurinë e Evropës dhe jetën e njerëzve në Ukrainë. Neve na duhen të dyja: energji e gjelbër dhe e qëndrueshme, por tranzicioni duhet të jetë i drejtë dhe kostot duhet të ndahen. Nevojitet solidaritet dhe mbështetje financiare”, shkroi Kurti.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

Ndër qëllimet kryesore të këtij procesi janë: përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor. Procesi fokusohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

(REL)