Liderët europianë janë skeptikë lidhur me disa detake të planit amerikan për paqen në Ukrainë

Londër, 8 dhjetor 2025 – Një takim katërpalësh i rëndësishëm u zhvillua të hënën në Downing Street, në Londër, ku kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Qëllimi i takimit ishte forcimi i unitetit mes aleatëve në mbështetje të Kievit, në një kohë kur SHBA po shton presionin ndaj qeverisë ukrainase për të pranuar marrëveshjen e propozuar të paqes me Rusinë.

Keir Starmer, i cili e hapi takimin, e theksoi nevojën për një “marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme të paqes” për Ukrainën, duke nënvizuar se vendimet që lidhen me Ukrainën duhet të merren nga vetë ukrainasit.

Zelensky, duke falënderuar nikoqirin Starmer për organizimin e takimit, e përshkroi momentin si “vendimtar” për të diskutuar të gjitha çështjet “e ndjeshme”, ndërsa theksoi rëndësinë e unitetit mes Evropës, Ukrainës dhe SHBA-ve.

“Ka gjëra që nuk mund t’i menaxhojmë pa amerikanët… dhe as pa Evropën”, tha ai.

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se “të gjithë e mbështesim Ukrainën dhe paqen” dhe se Evropa ka në dorë “shumë mekanizma” për të ndikuar në rrjedhën e zhvillimeve, në një periudhë kur ekonomia ruse po përballet me presion të shtuar nga sanksionet. Ai nënvizoi nevojën që Evropa dhe SHBA të gjejnë një linjë të përbashkët për hapat e ardhshëm.

 “Sfidë kryesore është arritja e një qëndrimi të përbashkët mes nesh Evropës, Ukrainës dhe SHBA-së për përfundimin e negociatave të paqes,” shtoi Macron.

Kancelari gjerman Friedrich Merz i quajti ditët e ardhshme “vendimtare për të gjithë ne” lidhur me çështjen e Ukrainës. Ai theksoi se “Gjermania qëndron fort në krah të Ukrainës”, duke shtuar se “fati i saj është fati i Evropës”. Megjithatë, ai pranoi se ka “skepticizëm” për disa detaje të dokumenteve të ardhura nga pala amerikane, të cilat kërkon t’i diskutojë me liderët e tjerë.

Nga Londra Zelensky do të udhëtojë drejt Brukselit, ku do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ai do të shkojë edhe në Romë, ku pritet të takohet me kryeministren Giorgia Meloni.

(r.m.)