Liderët mblidhen në Tivat për samitin BE-Ballkani Perëndimor

Tivat, 5 maj 2026 – Udhëheqësit e Bashkimit Evropian thanë në hapje të samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivat se zgjerimi po bëhet realitet dhe se blloku evropian nuk do të jetë i plotë pa vendet e rajonit.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se vizita e tij në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor para samitit dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të BE-së ndaj rajonit.

“Suksesi juaj është i rëndësishëm, sepse tregon se zgjerimi po bëhet realitet dhe ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim”, tha Costa, duke iu drejtuar Malit të Zi, nikoqirit të samitit dhe vendit që prin në procesin e anëtarësimit në BE.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Bashkimi Evropian po bëhet më i sigurt, më i qëndrueshëm dhe më i fuqishëm, por se “pa Ballkanin Perëndimor nuk do të jetë i plotë”.

Ajo tha se samiti do të përqendrohet në mënyrat për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit, për ta bërë atë më të dukshëm dhe më të rëndësishëm strategjikisht.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, e cilësoi mbajtjen e samitit në vendin e tij si “pikë kthese” për Malin e Zi, për Ballkanin Perëndimor dhe për vetë Bashkimin Evropian.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur të premten në Tivat të Malit të Zi, për samitin e nivelit të lartë ku në fokus pritet të jetë zgjerimi i bllokut evropian dhe integrimi më i shpejtë i rajonit në strukturat e BE-së.

Në samit po marrin pjesë udhëheqës të rëndësishëm evropianë dhe zyrtarë nga vendet kandidate, në një kohë kur Brukseli po përpiqet ta ringjallë procesin e zgjerimit, të ngadalësuar prej vitesh.

BE-ja pritet të shqyrtojë strategji të reja për ta përshpejtuar procesin e anëtarësimit për gjashtë vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, sipas presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili e zhvilloi një turne në këto vende këtë javë për t’i paraprirë samitit.

Blloku evropian kohët e fundit është përqendruar në nxitjen e reformave në këto shtete kandidate, pas shqetësimeve në rritje lidhur me ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon.

Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi po e kërkojnë anëtarësimin në BE prej shumë vitesh, por ende nuk arritur t’i përmbushin kushtet e nevojshme, sipas bllokut.

Çdo shtet ndodhet në fazë të ndryshme të procesit të anëtarësimit, por Mali i Zi dhe Shqipëria janë më përpara në këtë rrugëtim.

Për të ecur përpara në rrugën e tyre, vendet kandidate duhet ta harmonizojnë legjislacionin e tyre me standardet e BE-së në 35 fusha politike, të njohura zakonisht si “kapituj”. Për hapjen ose mbylljen e çdo kapitulli kërkohet pëlqimi i të gjitha 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Mikpritësi i samitit pretendon se në Tivat do të qëndrojnë 35 delegacione ndërkombëtare. Rreth 20 liderë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Kosova në këtë takim përfaqësohet nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Ndërkohë, ndryshe nga dhjetori i kaluar, në samit do të marrë pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ardhja e tij është shoqëruar me tensione në rritje me Malin e Zi, pasi autoritetet malazeze i dëbuan në aeroport një grup burrash që kishin mbërritur në Podgoricë me fluturim çarter.

Megjithëse marrëdhëniet me Malin e Zi nuk janë në nivelin më të mirë dhe tensionet filluan të rriteshin pas festimit të pavarësisë malazeze, Vuçiq nuk hoqi dorë nga pjesëmarrja sepse këtë ia kishte premtuar presidentes së Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, e cila e kishte telefonuar personalisht për të biseduar mbi pjesëmarrjen e tij.

Për çfarë do të diskutohet?

Në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor, Gjermania dhe Franca e kanë paraqitur një të ashtuquajtur non-paper, përmes të cilit propozojnë integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë në programet dhe politikat e Bashkimit Evropian.

Qëllimi i kësaj nisme është përshpejtimi i integrimit të vendeve kandidate dhe dhënia e një shtyse të re për reforma.

Dokumenti franko-gjerman, i përgatitur nga kabinetet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, niset nga vlerësimi se politika e zgjerimit ka nevojë për një impuls të ri politik.

Këshilli i BE-së ka thënë se udhëheqësit do të diskutojnë për zgjerimin dhe se kjo do të jetë një mundësi që Bashkimi Evropian të përsërisë angazhimin e tij të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Pritet që liderët të vlerësojnë përparimin e arritur në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE dhe të shqyrtojnë mënyrat për ta përshpejtuar më tej këtë proces, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ata do të diskutojnë gjithashtu mënyrat për t’u përballur me sfidat e përbashkëta dhe për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit në një kontekst gjeopolitik gjithnjë e më kompleks.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se procesi i zgjerimit duhet të bëhet më i shpejtë dhe më i besueshëm.

“Nëse një vend kandidat i zbaton reformat, ai duhet të përparojë në hapjen dhe mbylljen e kapitujve dhe klasterëve në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha von der Leyen.

Ajo shtoi se procesi i zgjerimit duhet të jetë edhe më i dukshëm për qytetarët e vendeve anëtare të BE-së, duke shtuar se shtetet anëtare duhet t’ua shpjegojnë qytetarëve të tyre përfitimet e zgjerimit.

“Zgjerimi do të thotë më shumë siguri, më shumë prosperitet dhe pozitë më të fuqishme të Evropës në botë”, tha presidentja e Komisionit Evropian.

Von der Leyen tha se ekziston një vrull i ri për zgjerimin dhe bëri thirrje që ai të shfrytëzohet.

“Duhet ta shfrytëzojmë këtë vrull, ta kthejmë atë në lëvizje dhe këtë lëvizje në anëtarësim”, tha ajo.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha se procesi i zgjerimit ka qenë shumë i ngadalshëm dhe se nevojiten ide të reja për t’i nxitur vendet e rajonit të zbatojnë reforma.

Ai paralajmëroi se edhe Bashkimi Evropian duhet të tregojë se është i aftë për zgjerim të mëtejshëm.

“Nëse për 13 vjet nuk kemi pranuar asnjë anëtare të re, kjo tregon se mangësitë ekzistojnë edhe në anën e Bashkimit Evropian. Pikërisht këtë duam ta tejkalojmë sot”, tha Merz para samitit.

Ai konfirmoi se iniciativa gjermano-franceze do të jetë në tryezë gjatë takimit të liderëve të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor.

Edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, konfirmoi se në samit do të diskutohet propozimi i përbashkët franko-gjerman për integrim më të thelluar dhe gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane.

Ai tha se perspektiva e zgjerimit është e rëndësishme edhe nga këndvështrimi gjeopolitik, pasi në rajon preken çështje që lidhen me pavarësinë evropiane në fushat e energjisë, sigurisë dhe migracionit.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Kosova kërkon trajtim të drejtë dhe të barabartë gjatë gjithë procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ajo rikujtoi se Kosova është e vetmja pjesëmarrëse në samit që nuk ka status kandidati për anëtarësim në BE, ndonëse aplikimin e ka dorëzuar në vitin 2022.

Sipas saj, Kosova ka zbatuar reforma të rëndësishme, është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe meriton të marrë pyetësorin, statusin kandidat dhe hapjen e negociatave.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Evropës i duhet një “moment i Helmut Kohlit”, duke bërë thirrje që vendet e rajonit të trajtohen si pjesë e familjes evropiane, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia pret të bëjë përparim dhe ta përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së.

Presidenti Costa tha të enjten në Beograd se liderët evropianë do të diskutojnë me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor mënyrat për të përmirësuar metodologjitë e procesit të anëtarësimit, me qëllim arritjen e përparimit më të shpejtë dhe më efektiv.

Për më tepër, BE-ja ka theksuar nevojën që Serbia dhe Kosova t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre në mënyrë që aplikimet e tyre për anëtarësim të mund të ecin përpara. Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, por Serbia vazhdon të mos e njohë atë.

Gjatë vizitës në Kosovë të mërkurën, Costa përsëriti se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm për të ardhmen evropiane të të dyja vendeve.

Duke folur në konferencë më presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd, Costa nënvizoi nevojën urgjente për përpjekje të përbashkëta, duke theksuar se “zgjerimi nuk është një utopi; ai është një mundësi reale në vitet e ardhshme”.

Një temë e pashmangshme do të jenë edhe modelet e ndryshme të afrimit me Bashkimin Evropian, të cilat muajt e fundit u janë ofruar vendeve kandidate para anëtarësimit të plotë.

Ndryshe nga rastet e mëparshme, ky samit nuk do të ketë dokument përfundimtar.

Sipas njoftimeve të zyrtarëve evropianë të përfshirë në organizimin e takimit, nuk do të miratohet ndonjë deklaratë e përbashkët.

Arsyet nuk janë bërë të ditura.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë teori konspirative; më shumë duket se BE-ja nuk ka asgjë të re për të ofruar përveç mesazheve politike tashmë të konfirmuara, të cilat janë harmonizuar në samitin e mbajtur gjashtë muaj më parë, në dhjetor 2025, në Bruksel.

Përveç konfirmimit se e ardhmja e rajonit është në Bashkimin Evropian, oferta e vetme konkrete e Brukselit për Ballkanin Perëndimor do të jetë njoftimi se rajoni mund të bëhet pjesë e zonës pa roaming që nga viti i ardhshëm.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*