Gani Tërshnjaku, Prishtinë
Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës shënoi 15-vjetorin e gazetës javore letrare e kulturore “Nacional” “e vetmja gazetë e kësaj natyre në gjithë hapësirën shqiptare”. Manifestimi u mbajt në sallën qendrore të Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku morën pjesë qindra shkrimtarë, poetë, studiues, profesorë universiteti dhe akademikë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Diaspora.
Për arritjet dhe rëndësinë e gazetës kombëtare Nacional foli prof. dr. Shyqri Galica, kryetar i LSHK-së dhe organizator i takimit. Gazeta “Nacional” botohet në Tiranë dhe shpërndahet në Kosovë por ka ‘pushtuar’ të gjitha trevat shqiptare dhe duke qenë e vetmja që afirmon letërsinë e kulturën tonë nga penat e reja deri tek më prestigjiozet. Dr. Galica theksoi se në pesëmbëdhjetë vite të botimit të vet, në faqet e Nacional-it kanë paraqitur vlerat e tyre letrare, artistike, kulturore, historike, politike e të tjera, një varg shumë i gjatë i krijuesve e studiuesve të artit e letërsisë, duke provokuar lexuesit me vlera të veçanta letrare dhe artisike.
Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës dhe anëtarësia e saj janë të lidhura pothuajse me çdo botim të gazetës “Nacional”, ndaj e konsideron privilegj organizimin e përurimit të këtij përvjetori të rëndësishëm duke besuar se botimi i saj ndihmon në bashkimin shpirtëror e kulturor deri në atë fizik si synimi i madh i shqiptarëve.
Për rrjedhat e punës dhe të publikimit të gazetës “Nacional” gjatë 15-vjetëve, Drejtori Dr. Mujë Buçpapaj tha “Në një kohë të papërshtatshme për shtypin e shkruar, gazeta letrare dhe kulturore “Nacional” ja ka dalë prej 15 vjetësh të qendrojë në tregun shqiptar dhe rajonal falë një politike editoriale të qartë dhe gjithëpërfshirëse, si dhe idealizmit të stafit të saj. Duke vijuar në kohë moderne, një traditë të shtypit kombëtar të kulturës, letërsia shqiptare, kultura dhe çështja shqiptare kanë qënë për redaksinë qendrore në Tiranë dhe ato rajonale, jo vetëm obligim, por edhe frymëzim në punën tonë si profesionistë të fushës.”
E themeluar 15 vjet më parë nga një grup shkrimtarësh, artistësh, studiuesish, përkthyesish dhe albanologësh të shquar në vend dhe jashtë tij, gazeta javore “Nacional”, ka hyrë me modesti në historinë e shtypit shqiptar në përgjithësi dhe atë kulturor në veçanti, me individualitetin e saj, me shpresat dhe ndijimet e saj për kombin tonë, për trashëgiminë kulturore, bashkimin kombëtar dhe të ardhmen. “Gazeta Nacional lufton për forcimin e faktorit shqiptar në Ballkan, forcimin e identitetit tonë kombëtar, duke e parë letërsinë shqiptare si një njësi unike kombëtare, ashtu siç jemi me të vertetë një komb një, gjuhë, një kulturë dhe një letërsi,” tha Dr. Mujë Buçpapaj. Ai falenderoi të pranishmit e shumtë në sallë, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët e gazetës “Nacional” në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, në Europë dhe SHBA, gazetarë, shkrimtarë, përkthyes, studiues të shquar dhe albanologë në rajon dhe në botë, artistë, shkenctarë, kërkues shkencorë etj, të cilët kanë bashkëpunuar me “Nacionalin” falas, me idealizëm dhe atdhetari, me dashuri ndaj fjalës shqipe, gjuhës së saj dhe letërsisë.
Oratorët që morën fjalën, poetë, shkrimtarë, studiues, akademikë dhe profesorë universiteti, falenderuan gazetën Nacional, stafin e saj botuesin, Dr. Mujë Buçpapaj për rolin e gazetës për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës si dhe bashkimin kombëtar. Ata theksuan se gazeta javore, letrare dhe kulturore Nacional është një media me ndikim në hapësirat shqiptare dhe në botë, është një institucion elitar dhe akademik që mban gjallë ndjenjat kombëtare shqiptare, me moton “ Pavarësi, demokraci dhe bashkim kombëtar, në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Veprimtarinë e përshëndetën shkrimtari i mirënjohur Jusuf Buxhovi, shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë prof. dr. Prend Buzhala, studiuesi Prof. dr. Avni Presheva , poeti dhe studiuesi Prof. Dr. Milazim Krasniqi, shkrimtari dhe botuesi mirënjohur Nazmi Rrahmani, poeti i njohur Shefik Shkodra, prof. dr. Ukë Buçpapaj, përkthyes i njohur, poeti Agim Desku, poetesha e njohur Kismete Hyseni, shkrimtari dhe studiuesi Izet Avdyli, poeti i njohur Burhan Hoti, studiues i historisë Sabri Maxhuni Novosela, shkrimtari Nuhi Veseli, shkrimtari Rrahim Sadiku, prof. dr. Zymer, Neziri studiues i shquar, poetesha dhe studiuesja e letërsisë Migena Arllati, gazetari i njohur dhe moderatori Tomorr Avdia, studiuesi i UÇK-së Afrim Mustafa, kryeredakroi i gazetës Nacional për Kosovën Gani Tërshnjaku etj.
Manifestimin e përcollën disa nga televizionet kryesore të Kosovës si RTK, TV Dukagjini, A2 CNN Kosova, TV 21, etj, edhe disa nga portalet më të njohura në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi si dhe mediat e Tiranës si A2 CNN, RTV Nacional, RTSH etj.