Limaj: Sqarimet që i kërkoi Osmani nga Kushtetuesja hapin rrugë për zgjidhje

Prishtinë, 23 korrik 2025 – Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se situata në Kosovë është tjetër pas 22 korrikut, kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për sqarime lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Osmani e pyeti Kushtetuesen se çfarë ndodh pas 26 korrikut, në rast se deri atëherë nuk bëhet konstituimi i Kuvendit. Po ashtu, kërkoi masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i cili ka filluar të rrjedhë nga 26 qershori, kur u publikuar aktgjykimi I Kushtetueses.

Limaj tha se kërkesa e Presidentes e ndihmon procesin e konstituimit të Kuvendit.

“Është edhe në interesin e partive politike që të pritet vendimi i Gjykatës në të dyja drejtimet, por edhe t’u jepet mundësia atyre që në këtë kohë – nëse ka masë të përkohshme – të gjendet një zgjidhje dhe të vihet te një shumicë parlamentare”, tha ai.

Limaj konfirmoi se ai është duke zhvilluar negociata me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje e kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e qeverisë së re.

“Nisma do të ndihmojë në zhbllokimin e situatës me aq sa ka mundësi. Kemi pasur disa takime me kryeministrin, opsionet i kemi në tavolinë – edhe nga Vetëvendosja, edhe nga Nisma”, tha Limaj, por nuk tregoi nëse janë afër arritjes së marrëveshjes.

“Ftesa ime është që ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë mundësi që ka dhënë presidentja e Republikës, e shpresoj edhe Gjykata Kushtetuese, dhe të shkojmë drejt një zgjidhjeje përfundimtare, jo parciale”, shtoi ai.

Ai theksoi se Nisma Socialdemokrate është kundër çfarëdo zgjidhjeje të paqëndrueshme që do të çonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Nuk do të jetë kontribuuese për një zgjidhje gjysmake që pastaj do të çonin në zgjedhje të parakohshme,” tha ai.

“Qëndrimi i Nismës është që të krijohet një shumicë qeverisëse stabile, e cila mundëson edhe konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë:, theksoi Limaj.

Limaj foli para gazetarëve, pasi kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, e ndërpreu të mërkurën seancën, duke thënë se nuk ka kushte për zhvillimin e saj.

Kjo ndodhi pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ia hoqi Deharit mikrofonin e kryesuesit të seancës, pasi ai nuk e lejoi të fliste për çështje jashtë rendit të ditës. Ajo ka kërkuar gjithashtu që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.

(r.m.)