Ja edhe këngëtari sllav Goran Bregoviq (e quaj “sllav” pasi nuk jam i sigurt se cilit prej grupeve etnike sllave të ish-Jugosllavisë i përket ai) shkoi në Korçë, pa çka pau, këndoi dhe iku, por nuk mund të thuhet se fitoi gjë ai as ata që e ftuan dhe e sponsorizuan praninë e tij në Korçë. Si në parantezë dua të them se, me gjithë zhurmën e madhe pro dhe kundër rreth pranisë së tij në Korçë, personalisht, isha krejt indiferent ndaj pjesëmarrjes së tij në “Festën e Birrës”, duke menduar se në qoftë se pjesëmarrja e tij atje ndihmon të shitet ndonjë birrë më shumë, aq më mirë – e ndihmon sadopak ekonominë shqiptare, thashë me vete.
Por, siç duket, retë e pluhurit “radioaktiv” që la pas prania e këngëtarit sllav Bregoviq në Korçë vazhdojnë të qëndrojnë mbi hapësirën politike dhe shoqërore shqiptare.
Megjithëse i kuptoj shumë mirë shqetësimet e shqiptarëve të Kosovës për ftesën dhe pjesëmarrjen e Bregoviqit në Festën e Birrës në Korcë, por edhe ata brenda Shqipërisë që e mbështetën pjesëmarrjen e tij në Korçë, me gjithë kundërshtimet mes dy palëve, unë e kam ndjekur debatin në lidhje me këtë çeshtje si diçka pozitive që është me rëndësi për t’u zhvilluar. E kam konsideruar këtë debat si pjesë të lirisë së fjalës për të dy palët, për ata që e kundërshtuan pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit në Festën e Birrës dhe për ata që e mbështetën shkuarjen dhe performansën e tij në Korçë. E shikova si një debat midis dy a më shumë vëllezërve e motrave që nuk janë dakord për një çështje me rëndësi për ta. Diskursi zhvillohej në një nivel e standard të qytetëruar, s’kishte gjë të keqe. Falë nderës Zotit, këtë ditë kemi pritur që shqiptarët, më në fund, të diskutojnë me njër- tjetrin, por edhe me të tjerë, nga afër dhe nga larg, si të barabartë dhe të lirë, deri sa e lexova reagimin e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, që mbronte pjesëmarrjen e Bregoviqit dhe të mbështetësve të tij në Korçë dhe i sulmonte ashpër ata shqiotarë, sidomos nga Kosova, që e kritikuan pjesëmarrjen e tij në festën e Korcës . Jo se Kryeministri shqiptar nuk ka të drejtë të shprehet, kështu ose ashtu, për Bregoviqin ose për këdo tjetër, pasi liria e fjalës duhet të përfshijë edhe atë, por reagimi i tij, më të thenë të drejtën, më la me gojë hapur.
Z. Rama i doli në mbrojtje Bregoviqit, duke i cilësuar reagimet e kundërshtarëve dhe kritikëve të pjesëmarrjes së tij në Festën e Birrës në Korçë si “një histeri fashiste, e turpshme për qytetarinë europiane të shqiptarëve”. Z. Bregoviq është një figurë publike dhe, si e tillë, patjetër do të tërheqë kritika dhe kundërshtime për deklaratat e tij ose për heshtjen e tij kur duhet të fliste por nuk foli ose për këngët e tij nga pozita e tij si njeri publik dhe e “një muzikanti nga më të jashtzakonshmit e Ballkanit”, siç e cilësoi z. Rama. Më habiti gjithashtu shumë përdorimi i fjalëve “histeri fashiste” nga z. Rama, drejtuar kritikëve shqiptarë të Bregoviqit. Kisha shpresuar se fjalët, “fashist e fashiste” nuk do t’i dëgjonim më në fjalorin shqip, sidomos, kur është fjala për diskurset politike ndërshqiptare, të vëllait me vëlla e motër shqiptare. Shpresonim se këto fjalë do t’i takonin një periudhe të zezë të historisë shqiptare, periudhës së komunizmit. Fashistët e vërtetë, z. Rama i gjeni në Beograd, shumë prej të cilëve i njihni mirë dhe me të cilët bashkëpunoni ngushtë, dhe jo në Prishtinë e, besoj, as në Tiranë!
Por, mbi të gjitha, deklarata e z. Rama kundër kritikëve të pjesëmarrjes së Bregoviqit në Korçë ishte një goditje mu në zemër të lirisë së fjalës. Është vështirë të thuhet përse ishte prekur aq shumë z. Rama nga kritikat ndaj Bregoviqit? Pa marrë parasyshë se ç’mendon z. Kryeministër për lirinë e fjalës dhe të shtypit, në vendin e tij dhe gjetkë, për të gjithë dhe pa dallim, “zjarrnxitësit mendjefikur”, siç i cilësoi kryeministri shqiptar kritikët e Goran Bregoviqit, me “histerinë mesjetare” dhe me “histerinë fashiste” të tyre, qofshin ata në Tiranë ose në Prishtinë, në bazë të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, nënshkruese e së cilës është edhe Shqipëria, gëzojnë të drejtën e lirisë së fjalës si të gjithë njerëzit elirë anembanë botës, që u ishte mohuar nga fashistët e vërtetë – sllavo-komunistët – për një gjysmë shekulli në Tiranë dhe në Prishtinë.
Prandaj, komentet e z. Rama nuk janë vetëm sulm ndaj kritikëve të një “trubaduri” sllav, por, mbi të gjitha, një goditje e rëndë ndaj lirisë së fjalës, në përgjithësi. Siç duket, edhe pas 30-vjetësh “post-komunizëm”, udhëheqësit shqiptarë ende e kanë të vështirë të kuptojnë se ç’është liria, veçmas liria e fjalës, si e drejtë themelore e njeriut, e sanksionuar me marrëveshje ndërkombëtare dhe e mbrojtur me ligje kombëtare, si vlerë evropiane, por edhe shqiptare, në radhë të parë.
Përgjigjen se ç’është liria e fjalës për shqiptarët na e ka dhënë ndoshta edhe para evropianëve të tjerë, i madhi Faik Konica, më shumë se një shekull më parë. “Liria është të mundet njeriu: të besojë ç’i do zemra; të thotë ç’i do zemra; të shkruanj ç’i do zemra; të bëjë ç’i do zemra,”, ka shkruar Konica në Gazetën “Albania”, viti 1897, nr. 2, f. 32.
Kjo është liria e vërtetë, sipas Faik Konicës. Po të respektohej dhe të zbatohej nga shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre sot, do ta nderonte “qytetarinë evropiane të shqiptarëve”, por edhe “historinë dhe traditën tonë poashtu”.
Z. kryeministër, nuk e di nëse je ose jo adhurues i Faik Konicës, por ai do të të këshillonte sot se megjithëse je në krye të qeverisë shqiptare “nuk ke të drejtë t’u presësh lirinë e fjalës”, kritikëve të këngëtarit “trubadur” të Ballkanit, për pjesëmarrjen e tij në Festën e Birrës në Korçë.
Liria e fjalës është dhe mbetet e shenjtë, si për ju, z. kryeministër, ashtu dhe për kritikët e këngëtarit ballkanas në Korçë!
Në fund të fundit, nga kjo përballje, askush nuk doli fitues. Të gjithë mbetën humbës. Humbi keq veçanërisht liria e fjalës dhe e vërteta, ashtu siç ka ndodhur shpesh në trojet shqiptare në këto 30-vitet e tranzicionit dhe “post-komunizmitt”.
Z. kryeministër, “unë nuk jam aspak dakort me ato që thua, por do të mbroj deri në vdekje të drejtën tënde (dhe të të tjerëve) për të thënë atë që dëshiron të thuash”, (Voltaire) dhe “çfarë të do zemra” (Faik Konica).