Uashington, 3 qershor 2025 – Zyra e Prokurorit të SHBA-së, Distrikti i Kolumbias, njoftoi të hënën se Lirim Sylejmani, 49 vjeç, shtetas amerikan i lindur në Kosovë, u dënua të hënën në Gjykatën e Distriktit me 10 vjet burgim për kryerjen e trajnimit ushtarak të organizatës terroriste Shteti Islamik (të Irakut dhe al-Shamit ISIS) dhe për përfshirje në të paktën një betejë me forcat e koalicionit të udhëhequra nga SHBA-të.
Dënimi u njoftua nga Prokurorja e SHBA-së Jeanine Ferris Pirro, Shefja e Divizionit të Sigurisë Kombëtare të Departamentit të Drejtësisë, Sue Bai, dhe Agjentja Speciale në Detyrë e FBI-së, Courtland Rae, e Divizionit Kundër Terrorizmit të Zyrës Territoriale në Uashington.
Më 12 dhjetor 2024 ,Sylejmani, i njohur edhe si Abu Sulayman al-Kosovi, isjhte shpallur fajtor për kryerjen e trajnimit të tipit ushtarak nga një organizatë e huaj e shpallur organizatë terroriste.
Përveç dënimit me burg, gjykatësi Rudolph Contreras urdhëroi që Sylejmani të jetë në mbikëqyrje për jetë.
“Ky i pandehur do të kalojë një dekadë në burg duke menduar për tradhtinë ndaj këtij vendi”, tha Prokurori i SHBA-së Pirro.
“Kushdo që mendon se ISIS është zgjedhja e duhur për pikëpamjet e tij, le ta mendojë përsëri. Ne do të bëjmë çmos për të paralizuar personat që duan të përmbysin qeverinë dhe të dëmtojnë qytetarët e saj me aktivitete subverzive”, tha ai.
Sipas provave të gjykatës, nga nëntori i vitt 2015 deri në shkurt të vitit 2019, Sylejmani kishte marrë pjesë në një trajnim ushtarak të ISIS-it në Siri. Në vitin 2019, ai ishte kapur nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) dhe kishte folur me disa medie për kohën që e kishte kaluar me ISIS-in.
Në nëntor të vitit 2015, Sylejmani, shtetas amerikan i natyralizuar që jetonte në Kosovë, bashkë me familjen e tij, kishte udhëtuar për në Siri për t’iu bashkuar ISIS-it. Pasi kishte hyrë në Siri, ai e kishte kryer procesin e rekrutimit në ISIS, me emrin Abu Sulayman al-Kosovi, dhe kishte marerë pjesë në një trajnim ushtarak bashkë me rekrutë të tjerë të ISIS-it. Trajnimi ushtarak i Sylejmanit përfshinte udhëzime se si të montohej dhe të qëllohej me pushkë AK-47 dhe si të përdoreshin mitralozi PK, pushka M-16 dhe granatat.
Pas përfundimit të trajnimit ushtarak 21-ditor, ISIS e caktoi Sylejmanin në një batalion në Mosul, në Irak. Më maj 2016, ai u dërgua në vijën e parë të frontit në Manbij, ku u plagos në këmbë gjatë një beteje me Forcat e Koalicionit. Në vitin 2017, ai transferua në një batalion tjetër në zonat e mbetura nën kontrollin e ISIS-it ku veproi deri në fillim të vitit 2019.
Sylejmani ishte paguar nga ISIS për shërbimet e tij.
Prej nëntorit të vitit 2017 Sylejmani e kishte zhvendosur familjen e tij në juglindje në Baghouzit, në Siri, në bastionin e fundit të ISIS-it. Më 27 shkurt 2019, ai dhe familja e tij ishin kapur aty nga Forcat e Koalicionit. Ai ishte mbajtur në burgun Dashisha të SDF-së deri në transferimin e tij tek autoritetet amerikane të drejtësisë, më 15 shtator 2020.
Rasti i tij është hetuar nga Task Forca e FBI-së kundër terrorizmit dhe është ndjekur penalisht nga ish-ndihmësprokurorja e SHBA-së, Brenda J. Johnson, ndihmësprokurorët e Shteteve të Bashkuara, Steven Wasserman dhe Kimberly Paschall, nga Seksioni i Sigurisë Kombëtare, dhe prokurorja Jennifer Levy, nga Seksioni Kundër terrorizmit të Divizionit të Sigurisë Kombëtare, njoftoi gjykata.
(r.m.)