Prishtinë, 15 maj 2026 – Lista e përbashkët e subjekteve opozitare serbe në Kosovë, “Bashkë fitojmë”, është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e certifikoi për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Në listën “Bashkë fitojnë” janë përfshirë kandidatë të gjashtë subjekteve politike opozitare serbe në Kosovë: Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, Fytyra e Re dhe Demokracia Serbe, si dhe iniciativat qytetare Veriu për të Gjithë dhe Rrënjët.
KQZ tha se kjo listë nuk e ka përmbushur kriterin ligjor për numrin e nevojshëm të nënshkrimeve.
Përfaqësuesit e listës ”Bashkë fitojmë” e kanë cilësuar si “të paprecedent” vendimin refuzues të KQZ-së. Sipas tyre, KQZ nuk e ka certifikuar kësaj liste me arsyetim se pranë emrave të disa nënshkruesve nuk ishin shënuar numrat e tyre të telefonit.
Në njoftimin e Listës thuhet se në KQZ janë dorëzuar nënshkrimet e rreth 1.400 personave, që është më shumë se sa parashihet me ligj.
Lista “Bashkë fitojmë” pret që kërkesa për pjesëmarrje në zgjedhje të miratohet nga PZAP. Ajo thekson se kjo është “në interes të demokracisë dhe të drejtës së qytetarëve për të zgjedhur”.
“Kjo nuk është vetëm beteja jonë. Kjo është betejë për të drejtën e popullit tonë që të ketë përfaqësim autentik dhe të lirë, pa tutorë, pa ndërmjetës të imponuar dhe pa afate nate të menduara që të mos mund të përmbushen”, theksohet në njoftimin e Listës “Bashkë fitojmë”.
Eksponentë të subjekteve politike që e hartuan listën “Bashkë fitojmë” kanë thënë se ato paraqesin opsion të pavarur nga Lista Serbe, partia që kontrollohet nga Beogradi, si edhe nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit, e cila ka qenë pjesë e koalicionit qeverisës në Kosovë.
Ivan Vuçkoviq, nga nisma qytetare Rrënjët, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se se një pjesë e opozitës serbe është bashkuar për të treguar se ekziston “një zë tjetër politik”, i pavarur nga politika zyrtare e Prishtinës dhe Beogradit.
KQZ-ja nuk e ka certifikuar për zgjedhjet e 7 qershorit as partinë Stranka Demokkratske Akcije -SDA (Partia e Veprimit Demokratik), që e përfaqëson komunitetin boshnjak në Kosovë, po për shkak të nënshkrimeve të pavlefshme.
(r.m.)