Lista Serbe ankohet në PZAP për vendimin e KQZ-së që kjo parti të mos certifikohet për zgjedhjet lokale

Prishtinë, 22 gusht 2025 – Lista Serbe ka dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) anekesë ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e kësaj partie për zgjedhjet lokale të tetorit, raporton Radio Evropa e Lirë.

Më herët gjatë ditës, në një konferencë për media, kjo parti tha se vendimi për moscertifikim  është “vendim i paligjshëm dhe diskriminues” i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha se megjithëse Zyra për partitë politike rekomandoi certifikimin, KQZ-ja vendosi që ta refuzonte këtë rekomandim.

“Është e qartë se Kurti dhe anëtari i tij në KQZ, para së gjithash mendoj për Alban Krasniqin, bashkëshortin e [ministres në detyrë të Drejtësisë] Albulena Haxhiut, nuk mund t’ia falin Listës Serbe faktin që ajo nuk u zgjodh në pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

“Ky reagim i Albin Kurtit është, para së gjithash, për të fituar pikë të lira politike. Ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore që janë të nevojshme, me qëllim që para së gjithash të sigurojmë certifikimin e të gjithë kandidatëve, si për kryetarë komunash, ashtu edhe për asamblistë”, shtoi Ellek.

Sipas Ellekut, Lista Serbe është përfaqësese politike e shumicës së serbëve në Kosovë, ndërsa partitë serbe që ishin pjesë e koalicionit qeverisës në Kosovës i cilësoi si “parti kuazi-serbe që i mban Albin Kurti”.

Igor Simiq nga Lista Serbe tha se ankesa ndaj vendimit të KQZ-së përfshin edhe dëshmi të tjera që tregojnë se kandidatët e tyre i kanë plotësuar kriteret.

“Bashkë me ankesën do t’i bashkëngjisim të gjitha dëshmitë që flasin në favor të faktit se kandidatët e Listës Serbe për kryetarë komunash dhe asamblistë i kanë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për t’u vendosur në fletëvotimet në të cilat qytetarët do të votojnë në tetor të këtij viti”, tha Simiq.

Simiq tha gjithashtu se “deklaratat anemike” të bashkësisë ndërkombëtare nuk po japin rezultat, sikurse as reagimi i të ngarkuarës me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Të enjten, në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan.

Për certifikimin e Listës Serbe votuan vetëm anëtarja e kësaj partie, Gordana Llaban dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Zyra e Partive Politike në KQZ, e cila e ka obligim shqyrtimin e aplikimeve të partive politike dhe të kandidatëve të tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, rekomandoi certifikimin e Listës Serbe. Por, anëtarët e LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kërkuan që kjo parti të mos certifikohet. Sipas tyre, kjo parti është “dorë e zgjatur” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë, ndërsa disa kandidatë të saj janë pjesë e strukturave paralele serbe në Kosovë.

PZAP-i e kishte rrëzuar një vendim të ngjashëm të KQZ-së për zgjedhjet parlamentare të e 9 shkurtit, duke ia mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje.

(r.m.)