Prishtinë, 30 gusht 2025 – Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, njoftoi të shtunën se është ankuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kundër votimit ndaras për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet pakicë gjatë seancës konstituive.
Në prag të takimit të Kuvendit për zgjedhjen e nënkryetarit serb, Lista Serbe njoftoi në Facebook se deputetët e saj dorëzuan sot një ankesë në Gjykatën Kushtetuese “për shkak të shkeljes së rëndë të të drejtave të popullit serb në seancat e kuvendit në Prishtinë”.
“Parimet kushtetuese dhe demokratike janë cenuar rëndë, ndërsa popullit serb i është pamundësuar ushtrimi i të drejtave të tij të garantuara”, thuhet në njoftim.
Ajo tha se pret nga gjykata më e lartë e vendit “të reagojë menjëherë dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e sundimit të ligjit, si dhe të drejtave të popullit serb në përputhje me aktet juridike në fuqi”.
Ankesa e partisë së serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar erdhi pasi kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras nënkryetarët e pakicave dhe më pas përdori shortin për kandidatët për nënkryetarin serb.
Lista Serbe, e cila i ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët në Kuvend, e propozoi për nëkryetar Sllavko Simiqin, por ai nuk arriti t’i siguronte 61 votat e nevojshme as në tri runde të votimit.
Kjo parti nuk pranoi ta propozonte një deputet tjetër për nënkryetar, prandaj kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, vendosi të hidhte short për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb, sipas Rregullores së punës së Kuvendit. Përveç disa deputetëve të tjerë të Listës Serbe, kandidat për pozitën e nënkryetarit ishte edhe Nenad Rashiqi nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, por as ai nuk i mori votat e nevojshme, në tri runde votimi.
Sipas Rregullores së punës së Kuvenditt ë Kosovës, “kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”.
Ndërkaq, Kushtetuta e Kosovës përcakton që nënkryetari “do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara të komunitetit serb”.
(r.m.)