Lista Serbe intimidon serbët që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës

Prishtinë, 21 prill 2023 – Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, përsëriti të premten thirrjen e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministres Ana Bërnabiq, drejtuar serbëvve në katër komunat veriore të Kosovës që t’i bojkotojnë zgjedhjet lokale në këto komuna që do të mbahen të dielën, më 23 prill.

Lista Serbe, e cila kontrollohet plotësisht nga Beogradi, tha se përmes bojkotit të zgjedhjeve serbët u përcjellin “një mesazh të qartë” Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar.

“Të gjitha vendvotimet të jenë të zbrazëta më 23 prill, gjë që do të dërgojë një mesazh të qartë për Prishtinën, por edhe për komunitetin ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e kësaj partie të publikuar të premten.

Madje, Lista Serbe u bëri thirrje serbëve që t’i shohin “me përbuzje” bashkëkomësit e tyre që do të marrin pjesë në zgjedhje.

“U bëjmë thirrje bashkëkombësve tanë që të shohin me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces jolegal dhe jolegjitim që është në kundërshtim me interesin e popullit serb”, thuhet në deklaratë.

Lista Serbe, sikurse bëri një ditë më parë Presidenti i Serbisë, Alekdandar Vuçiq, u bëri thirrje serbëvve “të mos bien në provokimet” e autoriteteve të Kosovës

“I bëjmë thirrje të gjithë popullit serb në veri të Kosovës e Metohisë që të dielën, më 23 prill, të jenë të qetë dhe të mos bien në provokimet e regjimit të Albin Kurtit, qëllimi i vetëm i të cilit është dëbimi i serbëve nga veriu i Kosovës dhe Metohia, duke i zhvilluar këto zgjedhje”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Një ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Alekdandar Vuçiq, u bëri thirrje serbëve në Kosovë për “bojkot të përgjithshëm” të zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës.

(r.m.)