Lista Serbe kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive

Prishtinë, 31 janar 2023 – Lista Serbe njoftoi se përfaqësuesit e saj që morën pjesë në diskutimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që u organizua nga Ambasada amerikane në Prishtinë tha se Asociacioni duhet të ketë kompetenca ekzekutive.

“Veçmas theksuam se është e nevojshme që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, gjegjësisht siç është rënë dakord në Bruksel gjatë negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës dhe se krijimi i tij është një obligim që nuk duhet shmangur, sepse duhet të jetë një institucion ombrellë për popullin serb, që do të mbrojë të drejtat individuale dhe kolektive të popullit tonë”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Kjo parti e serbëve në Kosovë, e cila kontrollohet nga Beogradi zyrtar, tha se Asociacioni është i nevojshëm “për mbijetesën e popullit serb” dhe se formimi i tij është kërkesë e serbëve në Kosovë.

Në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë morën pjesë zyrtarë qeveritarë, diplomatë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Një pjesëmarrës i takimit, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se shqiptarët dhe serbët kanë mbajtur qëndrime diametralisht të kundërta lidhur me kompetencat e Asociacionit. Shqiptarët kanë kundërshtuar kategorikisht formimin e çfarëdo asociacioni që cenon rendin kushtetues të Kosovës, ndërsa serbët kanë kërkuar që Asociacioni të mos kufizohet në kornizat kushtetuese të kosovës. 

Nikoqiri i takimit, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara veçse e kanë bërë të qartë se nuk mbështesin “asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Hovenier.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet, nëse evitohen parimet që nuk janë në harmoni me Kushtetutën.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, kundërshton formimin e një asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa në Beograd insistojnë në themelimin e tij.

(r.m.)