Shkup, 3 gusht 2021 – “Mbi 50 hektarë hapësira të përfshira nga zjarri gjatë ditëve të fundit në Maqedoninë e Veriut tashmë janë vënë nën kontroll”, thotë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti.
Ai shton se për momentin këto vatra zjarri në pjesë të ndryshme të vendit, ndonëse janë aktive, nuk paraqesin rrezik për qytetarët.
“Diku rreth 50 hektarë hapësira janë kapluar nga zjarri dhe po përpiqemi që këto shifra të mos rriten gjatë orëve në vijim”, thotë Maksuti.
Maksuti thotë se situata më kritike paraqitet në Koçani, pavarësisht se gjatë natës, 500 zjarrfikës, pjesëtarë të Armatës dhe banorë lokalë, kanë arritur që ta lokalizojnë zjarrin në këtë zonë.
“Brenda pesë ditëve, nga tri anë të ndryshme, rrethina e Koçanit është përfshirë nga zjarri, gjë që ka bërë që gjendja të jetë mjaft serioze, por që realisht ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për të lokalizuar zjarret në terren. Mbrëmë është bërë një punë goxha e madhe. Është arritur që të vendosen nën kontroll disa zjarre që ishin më problematike në Koçani, në Novaci në afërsi të Manastir si dhe në zjarret në Komunën e Makedonski Brodit. Mbetet që të vihet nën kontroll edhe zjarri në Gorno Nagoricani, që ka një terren më të vështirë për qasje”, thotë Maksuti.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim u ka bërë thirrje qytetarëve që të informojnë autoritetet nëse hasin në vatra të zjarrit.
Një problem që po paraqitet në shuarjen e zjarreve përmes avionëve është se avionët për shuarjen e zjarreve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim janë jashtë funksionit, pasi nuk i janë nënshtruar servisimit.
Kreu i kësaj drejtorie, Bekim Maksuti thotë se për këtë gjë do të kërkojnë më vonë përgjegjësi, pasi tani janë të fokusuar, që me kapacitetet që kanë, të shuajnë vatrat e zjarreve.
Ai po ashtu tregon se Maqedonia e Veriut, për shkak të situatës me zjarret, ka kërkuar ndihmë edhe nga vendet e rajonit.
Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se nëntë persona nga rajoni i Koçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e problemeve me frymëmarrje, për shkak të thithjes së tymit. Por, gjendja e pacientëve është stabile.
Nga dikasteri i shëndetësisë kanë njoftuar se pacientët, pasi janë trajtuar me oksigjeno-terapi, janë liruar në shtëpi.
NATO ofron ndihmë për shuarjen e zjarreve
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, pas një bisede me homologun e saj slloven, Matej Toni, ka njoftuar se Sllovenia, si anëtare e NATO-s, ka ofruar ndihmë të plotë për shuarjen e zjarreve në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë natës ndërmjet të hënës dhe të martës, në Koçani ka qëndruar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i cili ka theksuar se pret ndihmë nga shtetet fqinje.
“Do të qëndrojmë me ministrin (e Shëndetësisë, Venko) Filipçe tërë natën në Koçan. Nesër në mëgjes pres ndihmë nga fqinjët. Presidenti (maqedonas, Stevo) ka biseduar me president bullgar (Rumen) Radev, ndërsa unë bisedova me presidentin e Serbisë, (Aleksandar) Vuçiq dhe me kryeministrin bullgar. Po e ndjekim me kujdes situatën, nuk ka panik, situata është nën kontroll, pjesa më e madhe e zjarreve janë lokalizuar”, ka shkruar në Facebook kryeministri Zaev.
Ndërkohë në rajonin e Kumanovës, përkatësisht në Mugrash dhe Pezovo, zjarrfikësit kanë arritur që të shuajnë zjarret.
Autoritetet qeveritare u kanë bërë të ditur se ndalohet lëvizja e qytetarëve në zonat pyjore, për shkak të sigurisë personale dhe parandalimit të përhapjes së mëtejmë të zjarreve.
(Zërijeta Hajro Jajaga, REL)