Luftërat dhe ekonomia pritet të jenë temat kryesore të fjalimit vjetor të presidentit Biden

Uashington, 7 mars 2024 – Presidenti amerikan Joe Biden mban të enjten fjalimin e tij të përvitshëm për gjendjen e vendit, ku pritet të trajtojë menaxhimin e ekonomisë, të drejtat për riprodhimin, emigracionin, si dhe konfliktet në Ukrainë dhe në Gazë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, presidenti 81-vjeçar pritet gjithashtu ta shfrytëzojë rastin për të demonstruar se është i aftë fizikisht dhe mendërisht për një mandat të dytë.

Ky fjalim për gjendjen e vendit në një vit zgjedhor i jep presidentit Joe Biden një hapësirë prej rreth një ore në epiqendër të vëmendjes së amerikanëve, ku ai mund të nxjerrë në dukje arritjet e tij për çështje që u interesojnë votuesve, si ekonomia, emigracioni, të drejtat e riprodhimit, ndihma për Ukrainën dhe Izraelin…, si dhe kontrastin me alternativën nëse ai nuk do të fitonte në zgjedhjet e nëntorit.

Është një sfidë për çdo president, por presidenti Biden përballet me polemika edhe për një aspekt që ai nuk mundet ta ndryshojë.

“Publiku amerikan vazhdon ta ketë shqetësim moshën e Biden-it dhe mendoj se kjo është një sfidë kryesore që ai duhet ta tejkalojë me kandidimin për t’u rizgjedhur”, thotë Chris Jackson, nga firma e anketimeve “Ipsos”.

Shtëpia e Bardhë i tha Zërit të Amerikës se presidenti do të perqëndrohet tek tematikat.

“Ai e mirëpret mundësinë për të folur me popullin amerikan, me Kongresin dhe me botën, për arritjet e mëdha në këto tre vite e gjysëm si president i Shteteve të Bashkuara: që nga ekonomia, tek arsimi, kujdesi shëndetësor, punësimi, si dhe në skenën botërore dhe rikthimin e rolit udhëheqës të Amerikës në botë”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Analistët thonë se fjalimi i presidentit Biden do të përqëndrohet tek politikat, por se efektin më të madh do ta ketë nga mënyra se si do të përçohet dhe nga ndërveprimi me audiencën.

“Mendoj se i është i kënaqur të gjendet në Dhomën e Përfaqësuesve mes anëtarëve të Kongresit. Momentet më të mira të fjalimeve të tij për gjendjen e kombit kanë qenë kur republikanët e kanë sfiduar në mënyrë ofenduese, madje edhe kanë ndërprerë, dhe ai u është përgjigjur menjëherë me humor, ironi dhe shumë efektivitet”, thotë Jeremy Suri, nga Universiteti i Teksasit.

Analistët e politikës së jashtme mendojnë se presidenti Biden do të flasë për konfliktin në Gazë, duke vënë në dukje se ai ka ftuar ta ndjekin fjalimin të afërmit e amerikanëve të marrë peng nga Hamasi.

“Fjalimet e mëparshme për gjendjen e vendit kanë anuar më shumë nga çështjet e brendshme. Sigurisht që ka një komponent të brendshëm në situatën e politikës së jashtme, në veçanti me konfliktin në Lindjen e Mesme. Por kjo do të jetë një pjesë e madhe e fokusit të presidentit Biden, pasi këtë kanë njerëzit në mendje”, thotë Merrisa Khurma, nga Qendra Wilson.

Anketuesit thonë se në mendjet e votuesve është edhe një emër tjetër.

“Për Biden-in kryesorja është që të tregojë se mund t’i fitojë zgjedhjet përballë Trump-it. Kjo është vërtet gjëja kryesore që duhet të demonstrojë, madje më shumë se për pikëpyetjet nëse po bën një punë të mirë me ekonominë, apo emigracionin, apo secilën nga çështjet e tjera”, thotë zoti Jackson.

Presidenti Biden ka shansin të japë përgjigje mbrëmjen e së enjtes.

(Zëri i Amerikës)