Lushnje: Arrestohet pronari i firmës që po i kryente punimet në kapanonin ku u vranë dy punëtorë

Tiranë, 5 mars 2024 – Tri ditë pas tragjedisë në Lushnje, ku dy punonjës, babë e bir, e humbën jetën nga një shpërthim, policia ka arrestuar pronarin e firmës ndërtuese. Sipas njoftimit zyrtar Leonard Gjini, personi qe ishte kontraktuar për ndërtimin e kapanoneve në zonën e ish-fabrikës se plasmasit.  Ai akuzohet për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë me pasoja të rënda”.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtjes në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga shpërthimi mbetën të vrarë babë e bir Roland dhe Elidon Hoxha dhe u plagosën 7 të tjerë. Mes të lënduarve ishte edhe deputeti socialist Bujar Çela. Shkak i shpërthimit  ishte një pakujdesi gjatë saldimit ku flaka e pajisjes salduese me të cilën po punonte Roland Hoxha,  dëmtoi dhe më pas shpërtheu bombulën e oksigjenit.

Shpërthimi shkaktoi krisje muresh dhe thyerje xhamash në banesat dhe bizneset përreth vendit të ngjarjes. Banorët që u ndodhën në zonë në momentin e shpërthimit thanë se dëgjuan zhurmë të madhe dhe më pas panë të lënduarit të shtrirë në tokë.  “Po kaloja si çdo ditë këtu se kam shtëpinë afër dhe vetëm kur dëgjova zhurmën. Kam ikur me vrap, nuk e dija çfarë ishte. Kur ndalova 50 metra më tutje pashë tymin. U afrova dhe pashë  njerëz shtrirë në tokë”, i tha BIRN një banor i zonës.

Prokuroria dhe policia bëjnë me dije se po vijojnë hetimet në lidhje me incidentin.

(Reporter.al)