LVV do ta çojë në Kushtetuese dekretin për shpërndarjen e Kuvendit

Prishtinë, 6 mars 2026 – Lëvizja Vetëvendosjes (LVV) paralajmëroi se dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës do ta dërgojë për Gjykatën Kushtetuese.

Shefja e Grupit parlamentar e LVV-së, Arbërie Nagavci në një konferencë për media, te cilësoi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit si “akt të paprecedent”.

“Jemi dëshmitarë që shpërndarja e Kuvendit paraqet një akt të paprecedent që bie ndesh me rendin tonë kushtetues dhe ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për këtë. Nuk ka asnjë arsye pse kjo duhet të ndodhte sot një akt i tillë sot në mëngjes”, tha ajo.

Sipas saj, LVV-ja ka ofruar alternativa për shmangien e zgjedhjeve të reja, ndërsa procesin e zgjedhjes së presidentit e kanë penguar, siç u shpreh, “grupet e interesit”.

“Duhet ta bëjmë të qartë për qytetarët se ne kemi qenë të vetëdijshëm që ka shumë palë dhe grupe të interesit të cilave u ka penguar mbështetja e madhe e qytetarëve për Lëvizjen Vetëvendosjen dhe kryeministrin Kurti. Gjithsesi, ne kemi bërë gjithë çfarë ka qenë në dorën tonë për të shmangur edhe një palë zgjedhje”, theksoi ajo.

E pyetur nëse LVV do të marrë pjesë në konsultimet me presidenten Osmani për datën e zgjedhjeve të reja, ajo tha se nuk sheh arsye që LVV të marrë pjesë në këto konsultime.

Edhe deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, tha se dekreti i Presidentes Osmani është kundërkushtetues.

“Dekreti [për shpalljen e zgjedhjeve] është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për masë të përkohshme”, tha ai.

Rrustemi tha se procedura e filluar për zgjedhjen e presidentit është në përputhje me Kushtetutën. Sipas tij, afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit ka nisur sot dhe Kuvendi ka kohë 60 ditë për përmbylljen mer sukses të procedurës.

“Sot jemi në ditën e parë të afatit 60 ditor për zgjedhjen e presidentit”, tha ai.

Sipas tij, çdo veprim që ndërmerret në bazë të dekretit të presidentes, përfshirë takimin konsultativ të Presidentes me partitë politike, është kundërkushtetues.

Rrustemi shprehu bindjen se Gjykata Kushtetuesja do të vendosë masë të përkohshme ndaj dekretit të Presidentes Osmani.

(r.m.)