LVV ia merr PDK-së edhe një ulëse në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë, 15 qershor 2026 – Votat e ardhura me postë nga diaspora po e shtojnë fuqinë politike të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Kosovë.

Kur janë numëruar pothuaj gjysma e votave me postë, saktësisht 48, 41 për qind të tyre, LVV e fitoi edhe një ulëse më shumë në Kuvendin e Kosovës, në dëm të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Sipas të dhënave të publikuara në platformën e rezultateve të zgjedhjeve deri sot (e hënë, 15 qershor 2026) në orën 21:00, LVV-ja i ka fituar 28,477 vota nga diaspora ose 69,68 për qind. Sipas këtij trendi, LVV-ja mund ta fitojë edhe një mandat më shumë, ndërsa PDK-ja ose LDK-ja ta humbin nga një mandat.

Në total, kur janë numëruar 92.89 pqër qind të votave, LVV-ja i ka fituar 45.60 për qind të votave, PDK-ja 20.09 për qind, LDK-ja 17.10 për qind dhe AAK-ja 6.91 për qind të votave.

Tash për tash, LVV-ja i ka 52 mandate në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 22, LDK-ja 17 dhe AAK-ja 7.

Në qoftë se ky do të jetë rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, LVV-ja do të mund ta formojë qeverinë vetëm me partnerët e deritashëm qeverisës – subjektet e pakicave joserbe dhe partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e udhëhequr nga Nenad Rashiqi.

Por, çështjen e formimit të institucioneve të reja e bën më komplekse çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Sipas Kushtetutës, në votimin për presidentin në Kuvend duhet të jenë të pranishëm së paku dy të tretat e përbërjes së Kuvendit apo së paku 80 deputetë dhe këtë nuk mund ta sigurojë LVV-ja pa një marrëveshje me partitë në opozitë.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka paralajmëruar së  voni se LVV do ta mbështesë një kandidat të propozuar nga opozita, pa specifikuar ndonjë kush apo kriter për kandidatin.

(r.m.)