Paris, 24 korrik 2025 – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se Franca ka marrë vendim ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës. Ai ka thënë se njoftimin zyrtar do ta bëjë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet në muajin shtator.
“Duke qëndruar besnike ndaj angazhimit të saj historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Afërt, kam vendosur që Franca ta njohë shtetin e Palestinës. Njoftimin solemn do ta bëj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator”, ka shkruar Macron në Facebook.
Macron ka thënë se përfundimi i luftës në gaze dhe shpëtimi i popullsisë civile atje është çështje urgjente.
“Paqja është e mundur”, ka theksuar ai
Macron ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm, për lirimin e të gjithë pengjeve dhe për ofrimin e ndihmës humanitare masive për popullin e Gazës. Gjithashtu, ka bërë thirrje për demilitarizimin e Hamasit, për garantimin e sigurisë dhe për rindërtimin e Gazës.
“Më në fund, është e nevojshme ta ndërtojmë Shtetin e Palestinës, të sigurojmë qëndrueshmërinë e tij dhe të lejojmë që, duke pranuar demilitarizimin e tij dhe duke njohur plotësisht Izraelin, ai të marrë pjesë në sigurinë e të gjithëve në Lindjen e Mesme”, ka shkruar Macron.
“Francezët duan paqe në Lindjen e Mesme. Varet nga ne, francezët, që të tregojmë se kjo është e mundur, së bashku me izraelitët, palestinezët dhe me partnerët tanë evropianë dhe ndërkombëtarë”, ka shkruar Macron.
“Ne do të fitojmë paqen:, ka theksuar ai.

(r.m.)