Paris, 12 prill 2024 – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm.
Këtë deklaratë udhëheqësi francez e bëri gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjendet në Paris në një vizitë zyrtare.
Macron po ashtu shprehu mbështetjen për integrimin e shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Dua të tregoj vendosmërinë e Francës për Ballkanin Perëndimor. Këtu bëhet fjalë për bashkimin e Evropës për ta bërë më të fortë në sfondin e agresionit rus në Ukrainë. Shqipëria ka vazhduar rrugën evropiane me vendosmëri, kini besim te mbështetja jonë. Jemi të impresionuar nga tërësia e reformave dhe kapacitetet për të avancuar. Dua të përshëndes zërin e fortë në rajon të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare. Në të gjitha çështjet rajonale është i nevojshme normalizim i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, tha Macron, sipas kryeministrisë shqiptare.
Rama, ndërkaq, vlerësoi raportet Shqipëri-Francë, që sipas tij, tashmë janë në një nivel tjetër. Ai falënderoi Macronin për, siç tha, vizionin e tij për një Evropë të përbashkët me përfshirjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Dua të të falënderoj veçanërisht për dy gjëra. Së pari për vizionin, vendosmërinë më të cilin e ke nxitur, e ke shtyrë këtyre valë të re të afrimit ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian, duke vënë në tryezë nevojën për ta shoqëruar këtë proces integrimi me një proces përafrimi përtej rrugëve burokratike të çdo vendi. Ne jemi sot dëshmitarë të rezultateve për Shqipërinë, për të gjitha vendet e Ballkanit dhe Plani ynë i Rritjes, që u miratua nga Parlamenti Evropian është diçka që shkon në këtë drejtim, një Evropë e fortë, një Evropë e bashkuar, një Evropë që nuk mbetet peng i mënyrave të vjetra, I metodave të vjetra tradicionale të integrimit, kur ka diçka apo asgjë”, u shpreh kryeministri shqiptar.
Gjatë kësaj vizite dyditore, Rama dhe Macron do të nënshkruan dy marrëveshje. Marrëveshja ndërqeveritare mbi “kontributin në zbatimin e projekteve prioritare në Shqipëri” si dhe marrëveshjen e huas mes Shqipërisë dhe Agjencisë franceze për Zhvillim për financimin e projektit “Një huaj për politikat publike për të mbështetur Aftësinë Përtëritëse dhe Zhvillimin e Gjelbër të Shqipërisë”, sipas kryeministrisë së Shqipërisë.
Takimi i Ramës me Macronin u zhvillua ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua me udhëheqësin francez në Paris.
Pas takimit me Vuçiqin, Macron kërkoi që Kosova dhe Serbia të zbatonin Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit – të arritur vitin e kaluar – duke theksuar se Franca do të sigurohet që çdo hap i kësaj marrëveshjeje do të përmbushet.
Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Ai po ashtu kërkoi që të gjithë të përfshirët në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit të përballen me drejtësinë.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë shkëmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, akuzë që është hedhur poshtë nga Beogradi.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.