Maduro: Mafia shqiptare po punon për sabotimin e zgjedhjeve në Venezuelë

Karakas, 20 maj 2025 – Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka akuzuar drejtpërdrejt mafinë shqiptare në Ekuador, duke pretenduar se ajo është kontraktuar për të kryer sulme terroriste më 25 maj, në ditën e zgjedhjeve presidenciale në vend.

Me një qëndrim të ashpër dhe duke i cilësuar autorët si “terroristë”, Maduro deklaroi se grupet mafioze shqiptare, të cilat sipas tij ushtrojnë kontroll mbi rrjete kriminale në Ekuador, kanë dërguar mercenarë për të kryer akte dhune në territorin venezuelian.

Në deklarata të mëhershme, ministri i Brendshëm i Venezuelës, Diosdado Cabello, kishte bërë të ditur arrestimin e 38 mercenarëve që dyshohej se po përgatiteshin për të sabotuar procesin zgjedhor, mes tyre edhe 17 shtetas të huaj.

“Elementë të mafias shqiptare që kontrollon Ekuadorin kanë dërguar mercenarë për të vendosur eksplozivë në Venezuelë. Këta individë janë kapur,” tha Maduro në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.

Ai gjithashtu e lidhi këtë skenar me praninë e Erik Prince, themelues i kompanisë private ushtarake Blackwater.

Një deklaratë zyrtare nga Presidenca venezueliane nënvizon “Përballë kërcënimeve të reja: Votoni po, jo plumba! Më 19 maj, Presidenti Nicolas Maduro denoncoi shkatërrimin e një komploti sabotues të lidhur me mafian shqiptare, presidentin e Ekuadorit Daniel Noboa dhe Erik Prince nga Shtetet e Bashkuara, që synonte destabilizimin e zgjedhjeve të 25 majit.”

Takimi ku u bë kjo deklaratë u mbajt në Sallën “Simon Bolivar”, me pjesëmarrjen e zëvendëspresidentes, Delcy Rodriguez, ministrit të Mbrojtjes, Vladimir Padrino López dhe përfaqësuesve të tjerë të strukturave të sigurisë kombëtare.

“Ky ekip është garancia jonë për paqe dhe siguri. Është detyra jonë të mbrojmë të drejtat kushtetuese të popullit për paqe, stabilitet dhe qetësi,” përfundoi Maduro, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të 25 majit.

(Telegrafi)

Comment

*