Maduro thotë se është i hapur për bisedime me SHBA-të për trafikun e drogës, naftën dhe migracionin

Karakas, 2 janar 2026 – Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka thënë se është i hapur për bisedime me Shtetet e Bashkuara mbi trafikun e drogës, naftën dhe migracionin. Në një intervistë të drejtpërdrejtë në televizionin shtetëror, Maduro ka thënë se është gati për dialog me SHBA-në “kudo që të duan dhe kurdo që të duan”, raporton AAP.

“Nëse duan të flasin seriozisht për një marrëveshje për të luftuar trafikun e drogës, ne jemi gati”, ka thënë ai.

Administrata Trump po e akuzon Maduron se e drejton një kartel droge, duke theksuar se ai po merr masa të ashpra kundër trafikut të drogës. Por, udhëheqësi venezuelian po e mohon çdo përfshirje të tij në tregtinë e narkotikëve. Sipas tij, SHBA-të po kërkojnë një shkas për grusht shteti në vendin e tij për shkak të rezervave më të mëdha të njohura të naftës në Tokë.

Maduro ka thënë se me Trumpin nuk ka folur pas bisedës që kanë zvilluar më 12 nëntor, të cilën e ka përshkruar si të kënshme.

“Mendoj se ajo bisedë ishte madje e këndshme, por prej atëherë zhvillimet nuk kanë qenë të këndshme. Le të presim”, ka thënë ai.

Uashingtoni ka shtuar presionin mbi Karakasin duke mbyllur në mënyrë joformale hapësirën ajrore të Venezuelës, duke vendosur më shumë sanksione dhe duke urdhëruar sekuestrimin e cisternave të ngarkuara me naftë venezueliane. Trump është kërcënuar edhe me sulme tokësore ndaj karteleve të drogës në rajon.

Prej muajit shtator, forcat amerikane kanë kryer të paktën 30 sulme ndaj anijeve në Detin e Karaibeve dhe në Oqeanin Paqësor lindor, duke shënjesdtruar ata që Uashingtoni i konsideron kontrabandistë droge. Sipas informacioneve të ushtrisë amerikane, në këto sulme janë vrarë të paktën 107 persona.

(r.m.)