Magyar thotë se Hungarinë do ta ofrojë me BE-në dhe do ta largojë nga Rusia

Budapest, 14 prill 2026 – Kryeministri i ardhshëm hungarez, Peter Magyar, ka premtuar se do ta afrojë Budapestin me Bashkimin Evropian dhe do ta largojë nga Rusia. Por, ai ka të ngjarë të vazhdojë politikat e ashpra të Viktor Orbanit për imigracionin.

Peter Magyar, kryeministri i ardhshëm i mundshëmi Hungarisë, ka paraqiturdisa nga ndryshimet politike që mund të presë Hungaria gjatë konferencës së tij të parë të madhe të shtypit, që nga momenti kur partia e tij, Tisza, i dha fund qeverisjes 16-vjeçare të Fideszit të Viktor Orbánit.

Një nga faktorët që e çuan Magyarin drejt fitores ishte premtimi i tij për t’u distancuar nga Rusia dhe për ta përmbysur skepticizmin e paraardhësit të tij ndaj BE, veçanërisht tani që Budapesti përballet me vështirësi financiare dhe ka nevojë urgjente për fonde të BE.

“Nëse Vladimir Putin telefonon, do ta ngre telefonin,” u tha ai gazetarëve, të hënën.

“Ndoshta do të ishte një telefonatë e shkurtër dhe nuk mendoj se ai do ta ndalojë luftën për shkak të këshillës sim”, shtoi ai.

“Rusia mbetet një rrezik për sigurinë”, theksoi Magyar.

Peter Kreko, politolog hungarez, i tha DW-së se, me Magyarin, Hungaria “nuk do të jetë më kali i Trojës i Rusisë brenda Bashkimit Evropian ose NATO-s”.

SHBA mbetet e rëndësishme pavarësisht problemeve me Trumpin

Magyar-i tha se nuk kishte plane t’i telefononte Presidentit të SHBA, Donald Trump, i cili e ka mbështetur hapur Orbánin, madje e dërgoi Zëvendëspresidentin JD Vance për të bërë fushatë për të. Megjithatë, kreu i partisë Tisza tha se SHBA mbetet “një aleat i rëndësishëm” i Hungarisë.

Ai gjithashtu premtoi se do të luftojë korrupsionin dhe do të propozojë një amendament kushtetues për të parandaluar rikthimin e Orbanit në pushtet.

Qeveritë e njëpasnjëshme të Orbanit janë akuzuar për kufizimin e lirive të medias, të gjyqësorit dhe të procesit zgjedhor.

“Do të bëjmë gjithçka për të rivendosur sundimin e ligjit, demokracinë pluraliste dhe sistemin e kontrollit dhe balancave”, tha Magyar.

A kanë diçka të përbashkët Magyar dhe Orbán?

Fidesz dhe Tisza konsiderohen të dyja si parti konservatore dhe populiste. Megjithatë, me kalimin e viteve, Fidesz u zhvendos më tej djathtas, duke paraqitur Orbánin si mbrojtësin e Hungarisë kundër forcave të huaja keqdashëse. Vlen të përmendet veçanërisht se Orbán i ka penguar përsëri përpjekjet e BE për t’i ofruar ndihmë Ukrainës përballë pushtimit rus.

Të hënën, Magyar deklaroi se e mbështet anëtarësimin e Ukrainës në BE, por nuk do të mbështesë anëtarësimin e saj të shpejtë në bllok.

“Po flasim për një vend në luftë. Është krejtësisht jashtë çdo diskutimi që Bashkimi Evropian të pranojë një vend në luftë”, tha ai.

Magyar deklaroi se të gjitha shtetet anëtare duhet të trajtohen njësoj dhe se do t’i duheshin garanci më të forta për të drejtat e hungarezëve etnikë në Ukrainë për të mbështetur plotësisht aplikimin e saj.

Ashtu si Orbáni, Magyar ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj imigracionit. Sipas Peter Kreko, Magyar “theksoi se dëshiron edhe më pak imigracion në Hungari sesa qeveria e mëparshme”.

Megjithatë, Kreko nuk beson se Orbán do të kishte shumë ndikim në Hungari në të ardhmen.

“Kthimi i tij në politikë, madje edhe në plan afatmesëm ose afatgjatë, është i pasigurt,” shtoi Kreko, duke pasur parasysh se si i perceptuan hungarezët lidhjet e tij të ngushta me Rusinë.

Tisza fitoi 138 nga 199 vendet në parlamentin hungarez në zgjedhjet e së dielës, me 53 për qind të votave, ndërsa Fidesz i siguroi 55 vende dhe vetëm 38 për qind të votave. Sapo të mblidhet Parlamenti, shumica prej dy të tretash e Tisza pritet ta zgjedhë shpejt Magyarin si kryeministër.

(DW)

Comment

*