Nga Beqir Sina
Më 11 dhjetor 2025, Majore Luljeta Mehmeti-Quigley është diplomuar me sukses si pjesëtare e Sesionit të 296 të Akademisë Kombëtare të FBI-së. Ceremonia e diplomimit u mbajt në Quantico, Virxhinia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Majore Mehmeti-Quigley bën pjesë në një grup të përzgjedhur të ruajtësve të rendit që përfundojnë këtë program prestigjioz dhe është një nga pak zyrtarë në historinë e Policisë së Kosovës që diplomohet nga Akademia. Më pak se një për qind e ruajtësve të rendit në SHBA dhe në botë kanë mundësinë të ndjekin këtë trajnim elitar në nivel ekzekutiv.
E njohur ndërkombëtarisht për përsosmëri akademike, Akademia Kombëtare e FBI-së ofron 11 javë trajnim të avancuar në lidership, komunikim, shkenca të sjelljes, përgatitje fizike dhe praktika bashkëkohore të zbatimit të ligjit. Pjesëmarrësit përzgjidhen bazuar në performancë të dëshmuar profesionale dhe potencial udhëheqës. Mesatarisht, zyrtarët e diplomuar kanë mbi 20 vjet përvojë në zbatimin e ligjit dhe kthehen në agjensitë e tyre për të shërbyer në pozita të larta udhëheqëse dhe strategjike.
Sesioni i 296-të përbëhej nga 254 zyrtarë të ruajtjes së rendit që përfaqësonin 47 shtete të SHBA-së dhe Distriktin e Kolumbisë, si dhe zyrtarë nga 24 shtete të botës, katër organizata ushtarake dhe dy agjenci federale civile, duke theksuar dimensionin e fuqishëm ndërkombëtar dhe ndërinstitucional të Akademisë.
Diplomimi i majores Mehmeti – Quigley nga Akademia Kombëtare e FBI-së pasqyron profesionalizmin, lidershipin dhe përkushtimin e saj ndaj punës në Policinë e Kosovës. Ky sukses forcon kapacitetin institucional të Policisë së Kosovës dhe përforcon përkushtimin ndaj standardeve moderne, demokratike dhe të harmonizuara ndërkombëtarisht të policimit.
Pjesëmarrja e saj në Akademinë Kombëtare të FBI-së rrit më tej aftësinë e Policisë së Kosovës për të zbatuar praktikat më të mira ndërkombëtare, për të forcuar partneritetet dhe për të kontribuar në sigurinë publike për të gjitha komunitetet në Kosovë.
