Mali i Zi e dërgon Ligjin për Presidentin në Komisionin e Venecias

Podgoricë, 11 nëntor 2022 – Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, kërkoi opinionin e Komisionit të Venecias për ligjin për ndryshimet në Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, i cili shkaktoi debate të forta, por edhe krizë politike në Malin e Zi.

“Duke theksuar se rivotimi i mundshëm i Ligjit të diskutueshëm për ndryshimin e Ligjit për Presidentin e Malit të Zi në seancën e ardhshme të parlamentit dhe hyrja në fuqi e tij, në një periudhë shumë të shkurtër kohore mund të cenojë rendin kushtetues të Malit të Zi dhe vlerat juridike universale,” thuhet në kërkesën e presidentit dërguar Komisionit të Venecias.

Presidenti i Malit të Zi në këtë kërkesë e problematizoi veçanërisht faktin se qeveria dhe Kuvendi po e shfrytëzojnë jofunksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese.

“Përkundër mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, disa bartës të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ ndërmarrin hapa që shkojnë përtej nivelit të kufizuar të kompetencat e tyre të përcaktuara me Kushtetutë”, thuhet në kërkesën e presidentit malazez dërguar kryetares së Komisionit të Venecias, Claire Bazy Malaurie.

Me ndryshimet e Ligjit për Presidentin, të miratuara në fillim të këtij muaji, parashihet që nëse presidenti i vendit nuk propozon mandatar për formimin e qeverisë atëherë mandatin e merr një kandidat që e ka mbështetjen e qartë të shumicës së deputetëve. Kjo do t’i mundësonte kandidatit me shumicë të ngushtë prej 41 deputetësh, Miodrag Lekiq, të formojë qeverinë e re malazeze.

Me 20 shtator presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, e refuzoi propozimin që zoti Lekiq, kandidat i partive që i miratuan ndryshimet, të jetë mandatar i ri për formimin e qeverisë, ndërsa hodhi propozimin që të shkurtohet mandati i parlamentit aktual, për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja.

Partitë opozitare thanë se ndryshimet e përfshira në ligj paraqesin shkelje të Kushtetutës së Malit të Zi.

Kërkesa e presidentit Gjukanoviq vjen pas takimit të përfaqësueseve të partive parlamentare në Mal të Zi, i cila përfundoi pa ndonjë marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike në Mal të Zi.

Kryetarja e parlamentit, Danijela Gjuroviq, e cila ishte nismëtare e këtij takimi, njoftoi se “të gjithë insistuan në qëndrimet e tyre”.

“Duhet të diskutojmë nëse jemi gati të kemi një qeveri të re apo të biem dakord për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha Gjuroviq.

Edhe pse iu përgjigjën ftesës, drejtuesit e partisë pro-ruse Fronti Demokratik u larguan menjëherë nga takimi pasi, siç thanë, në takim nuk ishte Milo Gjukanoviq, president i Malit të Zi dhe kryetar i Partisë Demokratike të Socialistëve.

Partitë që e kanë shumicën në parlament, e cila i ka 41 deputetë (Fronti Demokratik, Demokratët dhe lëvizja URA e kryeministrit në detyrë, Dritan Abazoviq), e mbështesin zgjedhjen e një  qeverie të re, mandatar i së cilës do të ishte kandidati i tyre, Miodrag Lekiq.

Nga ana tjetër, blloku i opozitës dhe partive të pakicave, të udhëhequr nga partia e presidentit Milo Gjukanoviq, këkon që parlamenti të shpërndahet dhe të organizohen zgjedhje të parakohshme.

Mali i Zi është tronditur nga kriza politike që pasoi rënien e qeverisë së kryeministrit Abazoviq dhe refuzimin e shumicës parlamentare për të hyrë në një proces të ri zgjedhor. Po ashtu, pothuaj të gjitha institucionet janë në gjendje vepruese të përkohshme, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, e cila është pa kuorum.

(r.m.)