Mali i Zi i referohet Kosovës me fusnotë

Podgoricë, 2 shtator 2021 – Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës qysh më 2008, por herë pas here në këtë vend vazhdojnë ta mohojnë këtë realitet.

Së fundi, ministrja e Shoqërisë Digjitale dhe e Mediave, Tamara Srzentiq, i ka nisur ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, ftesë për pjesëmarrje në Samitin digjital të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet nga 11 deri më 13 tetor në Mal të Zi.

Por, në ftesë, ministrja malazeze i është referuar Kosovës me fusnotë, gjë që ka shkaktuar jo pak reagime në këtë vend. Mediumi “Antena M” e ka quajtur këtë si “skandal diplomatik”.

Image

Kjo nuk është hera e parë që ministrat e Qeverisë së Malit të Zi, kryesisht atyre të partive pro-serbe, i referohen Kosovës me fusnotë. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe vitin e kaluar.

Fusnota i është vënë emrit të Kosovës në bazë të një marrëveshjeje në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, për të mundësuar përfaqësimin e Kosovës në konferenca e nisma rajonale, por edhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar. Ajo nënkupton pozicionin e palëve karshi statusit të Kosovës, përkatësisht pozicionin e Serbisë në përputhje me Rezolutën 12 44 dhe pozicionin e Kosovës që mbështetet në opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

(r.m.)