Mali i Zi mban zgjedhjet parlamentare që përcaktojnë rrugëtimin drejt BE-së

Mali i Zi mban zgjedhjet parlamentare që përcaktojnë rrugëtimin drejt BE-së

Podgoricë, 11 ershor 2023 – Mali i Zi po mban sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare, rezultati i të cilave pritet të jetë tregues nëse vendi i vogël anëtar i NATO-s do të tejkalojë ndarjet e thella politike dhe paqëndrueshmërinë, e cila e ka penguar rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Rreth 542 mijë votues do të zgjedhin 81 deputetë të parlamentit malazez. Në konkurrencë janë 15 parti dhe koalicione, duke filluar nga grupet pro-perëndimore deri te ato që janë pro-serbe dhe pro-ruse.

Këto janë zgjedhjet e para pa ish presidentin Milo Gjukanoviç, i cili pas gati 30 vjetësh shërbimi si kryeministër ose president i vendit, humbi zgjedhjet presidenciale në muajin prill përballë udhëheqësit të lëvizjes “Evropa Tani”, Jakov Milatoviç.

Sipas anketimeve kjo lëvizje pritet të kryesojë në zgjedhjet e sotme e pasuar nga Partia Demokratike e Socialistëve, e ish-presidentit Gjukanoviç, e cila për herë të parë merr pjesë në zgjedhje me një udhëheqës të ri dhe në koalicion me disa parti të vogla.

Një ndryshim i madh ndodhi tek koalicioni i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, i cili në zgjedhjet e kaluara formoi shumicën aktuale parlamentare. Ky koalicion politik është ndarë tashmë në tre parti të pavarura dhe sipas të gjitha anketimeve do të ketë një rënie të theksuar.

Dy partitë që pas zgjedhjeve të vitit 2020 së bashku me Frontin Demokratik përbënin shumicën, Lëvizja Qytetare URA e kryeministrit me mandat të përkohshëm Dritan Abazoviç, dhe Demokratët kandidojnë së bashku në zgjedhjet e së dielës.

Votën e kërkojnë sot edhe dy koalicione të partive shqiptare: Forumi Shqiptar i drejtuar nga kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe Koalicioni i Aleancës Shqiptare me deputetin me përvojë Genci Nimanbegu.

Që nga zgjedhjet e vitit 2020, shumica e paqëndrueshme parlamentare ndërroi dy qeveri, të cilat e zhytën Malin e Zi në një krizë institucionale dhe thelluan edhe më tej ndarjet në skenën politike, duke nxitur shqetësimin e diplomacisë perëndimore për krizën e zgjatur politike, bllokimin e institucioneve, polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e autoriteteve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza.

Mali i Zi u bashkua me NATO-n në vitin 2017, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për grusht shteti një vit më herët, për të cilën Podgorica akuzoi agjentët rusë dhe ultranacionalistët serbë. Moska dhe Beogradi i mohuan pretendimet.

Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë vitin e kaluar, Mali i Zi i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Kremlini në këmbim e vendosi Malin e Zi në listën e shteteve jomiqësore.

Votimet e së dielës janë të gjashtat me radhë që kur vendi i vogël ballkanik shpalli pavarësinë në vitin 2006.

(Zëri i Amerikës)