Mallin për babën e ndjej si ditën e ndarjes edhe pas një çerek shekulli

Berianë Mustafa

Sot është një ditë që e ndiej thellë, një ditë që më kujton se sa shumë kohë ka kaluar, por edhe sa pranë e kemi ende në mendje dhe në zemër.

Kanë kaluar 25 vjet që kur ne e humbëm bashkëshortin, babain, vëllain e mikun tonë.

Ka kaluar një çerek shekulli pa babën, e megjithatë ka momente kur mungesa e tij më duket po aq e afërt sa hapi i parë i kujtimit tim për të.

Ka njerëz që i njohim ndër vitet që i kalojmë bashkë. Unë e Besiani e njohëm në moshë madhore, përmes mungesës së tij dhe përmes çdo gjëje që ai na ka lënë pas.

Ka ditë kur mendoj se si do të kishte qenë sikur ta kisha pasur pranë në çdo moment të jetës – kur kam pasur frikë, kur me është dashur një këshillë, kur më është dridhur zemra nga gëzimi, kur unë e Besiani e kemi përfunduar fakultetin, kur jemi martuar, kur unë e Besiani kemi kemi krijuar familjet tona, kur Lora dhe Gemi nuk e njohën gjyshin e tyre… Ka edhe shumë “kur”, por të gjitha mbeten të hapura.

Por, sot nuk dua të mendoj për mungesën. Dua të mendoj për lidhjen tonë, për atë lidhje që nuk u ndërpre asnjëherë, edhepse jeta mori një kthesë të padrejtë. Dua të mendoj për atë pjesën e tij që e mbaj brenda vetes pa e kuptuar mënyrën si e dua familjen time, mënyrën si luftoj për gjërat që i besoj, për mënyrën si mundohem të jem njeri i mirë. Sikur çdo ditë të jetë një provë e vogël për ta vazhduar atë që ishte ai.

Ky përvjetor nuk është thjeshtë një datë. Është një ndalesë e shkurtër për të thënë me vete: “Ti na ke rritur, edhepse nuk ke qenë pranë nesh. Ti na ke formuar – mua dhe Besin. Na ke dhënë një forcë të cilën nuk e kuptojmë, por e ndjejmë gjithmonë, pa asnjë dyshim”.

Është edhe një ndjesi e butë, e ngrohtë, që më kujton se dashuria e një prindi nuk matet me vitet e kaluara bashkë, por me gjurmën që lë në shpirt.

Sot, pas 25 vjetësh, e ndjej po aq thellë mallin për Ty. E ndjej edhe krenarinë, edhe mirësinë, edhe dritën që na e le. Dhe kjo më mban. Më shoqëron. Dhe më mëson çdo ditë se edhe humbjet më të mëdha mund të shndërrohen në forcë.

Pusho në qetësi, dritë e bardhë e shpirtit tim!

 

Prishtinë, 24 nëntor 2025

(Fjalë rasti në Akademinë Përkujtimore për Xhemail Mustafën, mbajtur në Prishtinë, në 25 vjetorin e vrasjes)

Comment

*